E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Jashtme e Kosovës: Shqiptarët në anijen e sulmuar, janë gjallë Anije luftarake (Foto ilustruese)

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se ish-zyrtari i Partisë së Drejtësisë, tashti pjesë e LDK-së, Fuad Ramiçi, është kosovari i vetëm që ka qenë në njërën prej anijeve të sulmuara nga forcat izraelite. Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Lulzim Mjeku, ka deklaruar se Ramiçi është gjallë dhe nuk është as në listën e personave të plagosur. Sipas Mjekut, Ambasada e Kosovës në Ankara po punon për të konfirmuar nëse në anije ka qenë edhe ndonjë kosovar tjetër. Ai ka shtuar se MPJ-ja pret që gjatë ditës të marrë informacione shtesë për këtë rast nga Ministria e Jashtme e Turqisë. Edhe tre shqiptarët e Maqedonisë, të cilët ishin pjesë e ekipit në flotën ndërkombëtare, e cila u sulmua dje nga forcat speciale izraelite në ujërat ndërkombëtare në afërsi të Rripit të Gazës, janë gjallë, ka raportuar agjencia INA. Jasmin Rexhepi , Sami Emini të dy nga Shkupi, si dhe Sead Hasipi nga Kumanova, ndodhen në paraburgim në Izrael, janë njoftuar familjarët e tyre sot në mëngjes nga Ambasada e Maqedonisë në Izrael. Shqiptarët ishin pjesë e ekipit prej 686 udhëtarësh në anijet e karvanit humanitar që u sulmua nga forcat speciale të Izraelit. Ata ishin nisur në Gaza përmes një organizate humanitare turke. Në sulmin e luftanijeve izraelite u vranë nëntë aktivistë propalestinezë, kurse dhjetëra të tjerë u plagosën. Izraeli njoftoi se ka filluar sot procesin e dëbimit të qindra aktivistëve pro-palestinezë, të cilët u ndaluan në konvoj. Ministria e Brendshme tha se grupi i parë i 45 aktivistëve pro-palestinezë janë nisur drejt aeroportit në Tel Aviv.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›