E Diel, 1 Nëntor 2026

Farmakovigjilenca, mashtrimi i radhës i ministrit Vasili

Task- forca e Ministrisë së Shëndetësisë, nis punën me 1 Prill

Farmakovigjilenca, nisma më e re e ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, mesa duket është mashtrimi i tij i radhës. Ashtu si shumë reforma të tjera të cilat mbetën vetëm në kuadrin e deklaratave, Vasili lëshoi më të fundit sistemin e Farmakovigjilencës.

Ky  sistem ka në thelb mbrojtjen e qytetarëve nga efektet e ilaçeve, por vetë mjekët, farmacistët dhe stomatologët, të cilët për hir të së vërtetës duhet thënë se shumë pak e njohin këtë sistem, dyshohet se nuk do të gjejë zbatim në terrenin tonë. Lidhur me këtë risi më të painformuarit duket sikur janë vetë shefat e pavijoneve të QSUT-së. Këta të fundit kanë deklaruar dje për gazetën SOT se dinë shumë pak për këtë nismë dhe që nuk janë të informuar në veçanti me këtë sistem të ri. Sipas tyre është tepër e vështirë dhe pothuajse e pamundur që të kryhet ky sistem në vendin tonë pasi kjo gjë ka nevojë për bashkëpunimin e të gjitha palëve. Jo më shumë se një javë më parë kreu i Shëndetësisë Petrit Vasili, për të zgjidhur përfundimisht problemet që ekzistojnë me barnat në tregun tonë farmaceutik, ka deklaruar se është duke u punuar për ngritjen e një grupi specialistësh të quajtur task-force. Burime nga qendra kombëtare e kontrollit të barnave kane deklaruar dje për gazetën se kjo task-forcë do të fillojë punën më 1 prill. Mesa duket ministri Vasili ka gjetur edhe datën e duhur për të nisur punën për kontrollin e barnave. Madje përpos të tjerave, burime nga QSUT kanë deklaruar dje se ashtu sikur të gjitha planet e tjera të Ministrisë së Shëndetësisë edhe ky projekt në fillim bën një boom të madh por më pas mbetet vetëm një dosje ndër mijëra të tjera që fle në sirtarët e Ministrisë. Mjekë e shefa shërbimesh kanë deklaruar dje se përveç të tjerave ilaçet megjithëse vijnë të kontrolluara në vendin tonë nuk ka laboratorë apo ekzaminime bashkëkohore për të pare se çfarë reaksioni mund të japin medikamente të ndryshme tek pacientët. Sipas specialistëve farmakos përkthehet në shqip ilaçe, dhe vigjilencë është syrvejim ruajtje. Pra farmakovigjilenca ka si synim mbajtjen në syrvejim të ilaçeve që përdoren në vendin tonë. Në lidhje me këtë shumicën e rasteve ilaçet që importohen në vend janë pa pulla sigurie dhe përbëjnë rrezik për pacientët.

Ilaçet
Kryesisht këto ilaçe janë ato që shiten me çmim më të ulët sesa ilaçet e tjera. Por problematikën më të madhe për këtë nismë të Ministrisë së Shëndetësisë e ngrenë vetë farmacistët të cilët deklarojnë se mbi 70 për qind e pacientëve preferojnë dhe blejnë ilaçet e lira që kryesisht importohen nga Serbia, Rumania, Mali i Zi, etj. Disa prej farmacistëve në kryeqytet kane pohuar dje për gazetën se një pjesë e madhe e këtyre ilaçeve të lira në çmim skadojnë shumë shpejt madje ka raste edhe përpara datës së shënuar në ambalazh. Ndërsa po sipas farmacistëve medikamentet e importuara nga vendet perëndimore janë ato që blihen më pak nga qytetarët shqiptarë. Por jo vetëm kaq në shumicën e rasteve qytetarët ankohen në farmacitë ku blejnë ilaçet se ato jo vetëm që nuk kryejnë funksionin që kanë por shpesh herë kanë edhe efekte anësore si alergji, infeksione, por edhe reaksione të ndryshme.

Garancia
Ky sistem i ri për shëndetësinë shqiptare, ka të bëjë me raportimin e efekteve te padëshiruara të barnave ose siç njihet ndryshe Farmakovigjilenca. Kjo duke ditur që autoritetet shtetërore kanë përgjegjësinë të japin garanci që barnat që hidhen në qarkullim me RSH të jenë cilësore, të sigurta dhe efektive. Duke qenë se në vendin tonë një eksperiencë e tillë ka munguar nuk ka qenë aspak e lehtë. Në lidhje me këtë sistem kërkohet kontributi i të gjithë profesionistëve mjekësorë siç janë mjekët, stomatologët, farmacistët, infermierët, dhe çdo person që ka kontakt ose përdor barin ose medikamentin mjekësor. Mjekët shqiptare ngrenë shqetësimin, se sistemi i farmakovigjilencën, që do të merret me efektet e barnave që tregtohen në vend, do te gjejë vështirësi në zbatimin e tij. Ata shprehen, se në radhë të parë, në farmacitë shqiptare, qytetarëve duhet tu shërbejnë, farmacistë me arsimin përkatës, pasi në jo pak raste, shumë njerëz, kanë rrezikuar jetën, duke marrë medikamente nga njerëz jo profesionistë.


Kontrolli i barnave për herë të parë në Shqipëri, farmacitë të painformuara
Një hap i rëndësishëm i sistemit të ri të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë është edhe rritja e vigjilencës nga personeli shëndetësor në lidhje me barnat që janë në qarkullim. Task- forca e cila do të kontrollojë edhe cilësinë e barnave në treg do të kombinohet edhe me mekanizmin e farmakovigjilencës. Kështu shëndetësia Shqiptare do ta hedhë këtë hap për tu vendosur në kufijtë normal të një shteti evropian normal që sillet në mënyrë shumë korrekte dhe të sigurt me pacientët e tij për atë që iu ofron shërbimi shëndetësor. Ky sistem aplikohet për të parë në vendin tonë. Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë grupi i punës është duke punuar për hartimin e akteve ligjore për farmakovigjilencën, një sistem që nuk ka ekzistuar në vendin tonë prej vitesh. Kujdes i veçantë duhet të tregohet tek barnat e reja që hidhen në treg. Janë këto barna që paraqesin dhe rrezikun më të lartë për efekte të padëshiruara. Vitet e para të hedhjes në treg duhet të vëzhgohet me kujdes çdo problem mund të shoqërojë barin. Evidentimi i ndonjë  problemi që shoqëron këto barna duhet të bëhet e njohur me shumë përgjegjësi para hedhjes në treg gjatë periudhës së 8 provave klinike. Konkretisht në lidhje me këtë flasim për ato raste të cilat kryhen Brenda territorit të vendit tonë. Madje nuk mundojnë as rastet kur ilaçet e blera në farmaci nuk kanë as vulën e sigurisë. Por më emergjent mbetet pasiguria e  ilaçeve e cila është një shqetësim i madh edhe që prek drejtpërdrejtë qytetarët. Ky problem është pohuar dje nga shumë farmaciste në kryeqytet të cilat janë prononcuar për gazetën SOT se qytetarët në Tiranë nuk ndihen të sigurt për barnat që blejnë në farmaci. Shumë herë na është dashur ti kthejmë mbrapsht ilaçet sepse ato nuk kanë patur vulat e sigurisë, dh m problematik është fakti që në ditë kemi 8-10 ankesa nga qytetarë të ndryshëm për sigurinë e ilaçeve thanë dje për gazetën disa prej farmacisteve në kryeqytet Sipas tyre qytetarët ankohen se zakonisht ilaçet nuk kryejnë efektin e tyre dhe nga ana tjetër kanë efekt anësor si reaksione, alergji por ka pasur edhe raste që kanë pësuar edhe humbje ndjenjash apo të vjella e temperaturë. Ndërsa farmacistë të tjerë kanë deklaruar se vetë mjekët, nuk japin të dhëna rreth efekteve të padëshiruara që mund të sjellin barnat që qytetarët blejnë . Të pyetura nëse këto farmaci janë të informuara nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me sistemin e ri të Farmakovigjilencës vetë farmacistët kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim dhe janë të painformuar për këtë rregullore të re në lidhje me kontrollin e barnave.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Premte, 26 Mars 2010 22:15

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›