E Diel, 1 Nëntor 2026

Seanca; Betohen në gjykatë dy ekspertët mjeko-ligjorë

Procesi për zhukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha ka vijuar sërish dje, ashtu sikundër ndodh çdo javë ditën e premte në orën 09:00 në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Seanca e djeshme vijoi me betimin e dy ekspertëve, të cilët do të përcaktojnë gjendjen shëndetësorë të Budjon Meçes, një nga katër të pandehurit e procesit. Pas betimit, gjykata u ka lënë një javë kohë dy mjekëve për të përgatitur raportin përfundimtar, në lidhje me gjendjen shëndetësore të Meçes, i cili ndodhet aktualisht i shtruar në spital. Kërkesa për ekspertimin shëndetësor të Meçes u bë nga prokurori i çështjes Xhevat Hana, i cili kërkoi që ai të ishte i pranishëm në gjykim. Por, familjarët e të pandehurit kanë pretenduar se ai ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Një seancë më parë, gjykata shpalli gjykimin në mungesë për të pandehurin Ilir Kumbaro, i cili nuk gjendet në Shqipëri, ndërkohë që pas raportit të ekspertëve, pritet që gjykata të marrë vendimin edhe për Meçen, nëse gjykimi mund të bëhet në mungesë të tij. Në seancën e djeshme ishin të pranishëm të dy të pandehurit e tjerë Arben Sefgjini, i cili është aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe Avni Koldashi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›