E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta Shamku

Reduktohen lejet e licencat, hiqen 103

Nga 1 korriku, nga 160 do të ketë vetëm 62 leje e licenca

Berisha: Heqja e tyre, përmirësim i sigurt i shërbimeve

Licenca dhe leje tashmë do të jepen vetëm për sektorë të veçantë të ekonomisë, si ai i minierave dhe ujërave, por jo për biznese të tjera. Duke nisur nga 1 korriku i këtij viti, Shqipëria do të ketë gjithsej vetëm 62 leje dhe licenca, të cilat do të sistemohen në një “One Stop Shop” për lejet e licencat. Kjo është bërë e ditur dje nga Kryeministri Sali Berisha, i cili kohë më parë ka paralajmëruar në mbledhjet e qeverisë heqjen e të drejtës së dikastereve për të dhënë leje e licenca dhe dhënien e këtij atributi një strukture të posaçme. Kryeministri Berisha u shpreh dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se në korrik të këtij viti qeveria vendos heqjen e së paku 103 lejeve dhe licencave. “Nga mbi 160 leje dhe licenca që kishte 3-4 vjet më parë, Shqipëria e korrikut të këtij viti do ketë gjithsej 62 leje dhe licenca, të cilat të gjitha do të grumbullohen e sistemohen në një “One Stop Shop” për lejet dhe licencat”, - ka theksuar kreu i qeverisë. Kryeministri tha se të gjitha ligjet në këtë aspekt do të amendohen dhe do të parashikojnë parimin “heshtja është aprovim”. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë proces si një zhvillim madhor pozitiv në fushën e lirisë së tregut, duke nënvizuar se çdo licencë e hequr, çdo leje e hequr, është një hap drejt lirisë dhe pasurive të saj. “Ne e ndërmorëm me guxim këtë hap, sepse kemi deklaruar që ky është viti i liberalizimit të mëtejshëm të ekonomisë, viti i privatizimeve të mëdha dhe ne po u përmbahemi këtyre objektivave”, - u shpreh Kryeministri.

Kreu i ekzekutivit ka vënë theksin se Task Forca që ka kryesuar këtë nismë, që nga viti 2005 deri më sot, e angazhuar në një seri intensive procesesh pune, shqyrtimesh, del sot para shqiptarëve dhe mbarë tregut botëror me vendimin e heqjes të së paku 103 lejeve dhe licencave, që të gjitha pengesa në rrugën e lirisë së tregut, që të gjitha nyje korrupsioni. “Duke hequr, gjatë këtyre viteve dhe sidomos gjatë këtyre muajve të fundit, në tërësi, mbi 103 leje dhe licenca, ne i japim një goditje madhore korrupsionit në këto procese. Në të gjitha rastet, parim bazë dhe praktike bazë mbetet vetëdeklarimi. Agjencitë shtetërore dhe publike dhe ministritë do të kenë detyrimin e përcaktimit të kritereve të qarta, e monitorimit të kritereve të qarta, e imponimit të respektimit të këtyre kritereve, të tjerat i përcakton tregu dhe vetëm tregu”, - u shpreh Kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Sipas Kryeministrit Berisha, këto 62 leje dhe licenca që mbeten, janë ato që s’mund të hiqen, janë minierat, ujërat dhe të tjera biznese të cilat ruhen në çdo vend, por, ajo që duket është fakti se Shqipëria do të jetë një vend i liberalizimit të tyre.

Kryeministri vuri theksin se nga ana tjetër, heqja e licencave dhe lejeve do të thotë me mijëra e mijëra vende pune të reja në të gjitha fushat. “Heqja e tyre do të thotë përmirësim i sigurt i mëtejshëm i shërbimeve. Unë jam i vetëdijshëm se, në konflikt interesi, do të ketë zëra që do vijnë të protestojnë, por ne jemi liberalë dhe u përmbahemi parimeve që kemi shpallur. Revolucioni i shërbimeve, që është edhe revolucioni më i madh për t’u kryer sot në botë, kalon detyrimisht nëpërmjet heqjes së licencave dhe lejeve. Do të jetë tregu ai që do të përcaktojë “yjet” e hoteleve, ai që do të përcaktojë cilësinë e mjetit të transporteve, ai që të përcaktojë më të mirin shërbim”, - vuri theksin Kryeministri. Ai bëri me dije se veç këtij hapi, hapa të tjerë të mëdhenj do të ndërmerren, në mënyrë që shërbimet të menaxhohen nga sektori privat, në mënyrë që sektori privat të ketë hapësirën më të madhe të mundshme në të gjitha shërbimet e një shoqërie. “Uroj të mos jetë e largët dita, kur qytetarët e këtij vendi të mund të përzgjedhin për veten, fëmijët, familjen e tyre, shërbimin më të mirë që ata duan dhe vlerësojnë më shumë”, - tha Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›