E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subvencionimi, kush dhe sa duhet të përfitohej nga shteti



Sipas pikës 4 të VKM-së, datë 6 maj 2009, masat e përfitimit të drejtpërdrejtë nga fondi i programit për mbjelljen e pemëve frutore (mollë, dardhë, kumbull, qershi, pjeshkë, lajthi, luleshtrydhe), ullinj dhe agrume në bllok, mbi 4 dynymë, pa kaluar 1 hektar për fermerë individualë, dhe jo më pak se 1 hektar, dhe jo më shumë se 5 hektarë për grup fermerësh, do të jetë 250 mijë lekë/hektar, për format tradicionale dhe 300 mijë lekë/hektar për format intensive të kultivimit të tyre. Forma e re zëvendëson të mëparshmen që ishte subvencionim i pastër 50 për qind të investimit, pa kaluar nivelin e 400 mijë lekëve, për jo më pak se 4 dynymë të mbjella për fermerë individualë dhe jo më pak se 1 hektar për grup fermerësh. I njëjti ndryshim ndodh me subvencionimin e vreshtave, ku nga 600 mijë lekë/hektar, bëhet 400 mijë lekë/hektar. Skema e parë ishte: për mbjelljen e vreshtave në bllok, jo më pak se 5 dynymë për fermerë individualë dhe jo më pak se 1 hektar për grup fermerësh, jepen 50% e vlerës së projektit, por jo më shumë se 600 mijë lekë/hektar. Skema e re bëhet: mbjelljen e vreshtave në bllok, jo më pak se 5 dynymë, por jo më shumë se 2 hektarë për fermerë individualë dhe jo më pak se 1 hektar, por jo më shumë se 5 hektarë për grup fermerësh, 400 mijë lekë/hektar. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, e gjithë skema e subvencionimit për fermerin u bë për shkak të zgjerimit të përfituesve, duke futur varietet autoktone të perimeve si domate, trangull, spec, qepë dhe patate. Ai fermer që mbjell në total jo më shumë se 1 hektar (njërën nga kulturat), merr subvencionim 200 mijë lekë për hektar. Futja në skemë e këtyre kulturave mund të cenojë marrëveshjet e tregtisë së lirë që Shqipëria ka me vendet e rajonit dhe me Bashkimin Europian.

DPS, marrëveshje bashkëpunimi me vendet e rajonit

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit, një institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, ka nënshkruar ditët e fundit në Ohër (Maqedoni) një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Standardizimit të Republikës së Maqedonisë (ISRM) dhe Institutin e Standardizimit të Malit të Zi (ISME). Sipas DPS-së, këto marrëveshje janë nënshkruar në kuadrin e një bashkëpunimi më të ngushtë mes organizmave homologe në rajon, që do t'i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencës në fushën e standardizimit, kryesisht në plotësimin e kushteve që këto organizma të bëhen anëtare me të drejta të plota në organizmat ndërkombëtare (Cen & Cenelec). Sipas DPS-së, këto marrëveshje do t'i shërbejnë zbatimit në praktikë të Marrëveshjes “CEFTA” të vitit 2006 (marrëveshje tregtare mes vendeve të rajonit), për eliminimin e barrierave teknike në tregti ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Po ashtu, këto marrëveshje janë në shërbim të bashkëpunimit reciprok në fushën e standardizimit, në zbatim të parimeve dhe rregullave të adoptuara nga organizmat evropiane e ndërkombëtare në këtë fushë, të zhvillimit të tregtisë rajonale etj. Gjithashtu, nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, palët e interesuara dhe kompanitë e ndryshme të prodhimit apo të shërbimeve, mund të gjejnë shumë lehtë standardet shqiptare, të cilat janë konform atyre ndërkombëtare.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›