E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investime për sistemin e ngrohjes në arsimin parauniversitar



Godinat e arsimit parauniversitar do të kenë ambiente të pajisura me të gjitha kushtet për sezonin e dimrit dhe të verës. Bashkia e Tiranës do të fusë sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes në të gjitha kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit. Kjo do të realizohet nëpërmjet një projekti të Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me BERZH-in. Projekti do të mundësojë ndërhyrjen në sistemet e ngrohjes, termoizolimit, dritare, dyer dhe reduktimin e lagështisë, në një numër të konsiderueshëm çerdhesh, kopshtesh dhe shkollash. Sipas Bashkisë së Tiranës, këto projekte synojnë krijimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe cilësor për kryerjen optimale të një procesi edukativo-mësimor sipas standardeve që aplikohen në të gjitha vendet europiane. Kjo nismë është një ndër prioritetet që përfshihet në programet afatmesme të investimeve të Bashkisë 2009-2011. Të gjitha këto ndërhyrje të rëndësishme do të realizohen në mënyrë të studiuar, duke përmirësuar kushtet e energjisë në këto objekte, si dhe duke shfrytëzuar burime alternative të saj, siç është për shembull energjia diellore. Ekspertë të huaj që punojnë për Programin e Auditit të Energjisë dhe ekspertë shqiptarë kanë realizuar vlerësimin e eficiencës së shfrytëzimit të energjisë në disa objekte publike arsimore, të cilat kanë një sistem qendror ngrohjeje. Grupi i punës ka vlerësuar shkollat “Hasan Prishtina”, “Mihal Grameno”, “Dora D’Istria” dhe “Ismail Qemali”, kopshtet 52, 56, 18 dhe 6, si dhe çerdhet 8, 10 dhe 50.
Në këtë fazë, ky grup ekspertësh ka pasur takime edhe me ata që mirëmbajnë sistemet e ngrohjes, Drejtorinë e Punëtorëve të Qytetit Nr. 3, si dhe me drejtues të Bashkisë së Tiranës. Në përfundim ekspertët do të dorëzojnë një raport vlerësues për këto objekte, i cili do të jetë baza e ndërhyrjes së mëtejshme që do të sjellë përdorimin e energjisë. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës po sheh mundësinë e instalimit të paneleve diellore në disa objekte me qëllim shfrytëzimin e kësaj energjie për ngrohje.
Nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës do të fillojë së shpejti rikonstruksioni i plotë i 6 çerdheve të tjera, si dhe i disa kopshteve dhe shkollave. Gjatë vitit të kaluar, pjesë e rikonstruksionit dhe punës së Bashkisë u bënë 34 shkolla dhe një pjesë e madhe kopshtesh dhe çerdhesh në kryeqytet.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›