E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia vendos 35 vende parkimi për personat me aftësi të kufizuar



Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur vendosjen e 35 vendeve për parkim për invalidët. Invalidët kanë qenë “të persekutuar” përsa u përket mundësive të lëvizjes në metropolin e madh. Për t’u dhënë mundësinë e lëvizjes së lirë nëpër qytet Bashkia vendosi krijimin e vendeve të parkimit, të cilat do të jenë vetëm për këtë kategori. Përveç kësaj, të drejtën e përdorimit të vendeve të parkimit do ta kenë edhe personat që shoqërojnë me makinë invalidët. Personat me aftësi të kufizuara duhet t’u nënshtrohen disa procedurave, të cilat konsistojnë në pajisjen me autorizim të invalidëve që shoqërohen nga persona të tretë. Në këtë rast nuk ka rëndësi se i kujt është automjeti, por mjafton fakti që shoqëron personin me statusin e invalidit dhe 34 vend-parkimet mund të përdoren. Sipas rregullores, e rëndësishme është që të kenë pajisjen me autorizim të shoqatave të invalidëve, automjetet e të cilave duhet të jenë në pronësi ose bashkëpronësi të shoqatës. Të dyja grupet e mësipërme, pas pajisjes me autorizim, kanë të drejtë të parkojnë mjetet, pa pagesë dhe pa kufizim në kohëzgjatje, në vend-parkimet e instaluara në qytet. Bashkia ka marrë parasysh vendosjen e rregullave të reja në bashkëpunim me Shoqatën e Invalidëve, të cilët kanë parashtruar kërkesat e tyre. Ndërsa vend-parkimet janë vendosur pranë spitaleve, kinemave, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në vende të tjera, të cilat janë më të frekuentuara nga kjo kategori. Invalidët kanë protestuar disa herë për të drejtat e tyre, duke parashtruar kërkesat për marrjen e shërbimit shëndetësor më të shpejtë, për rritjen e shumës së invaliditetit, për rimbursimin e karburantit etj. Kërkesat e tyre janë ende të papërmbushura nga qeveria, për të cilat ata pak muaj më parë kanë protestuar para godinës së qeverisë. Por këtë herë duket se Bashkia është i vetmi institucion që u ka ofruar një zgjidhje të tillë, për t’u krijuar lehtësira në lëvizjen e tyre.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›