E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë në BE, Javier Solana, flet për “Shqip”

Optimist për të ardhmen e Ballkanit, por edhe deri diku nostalgjik për të gjitha vitet që ka kaluar duke u marrë me këtë rajon. I tillë shfaqet ish-përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së në periudhën 1999-2009 dhe sekretar i përgjithshëm i NATO-s në periudhën 1995-1999. Javier Solana, pasi ka lënë detyrën e tij të rëndësishme, ka preferuar të hedhë në letër vlerësimet për atë çka po ndodh aktualisht në Ballkan, duke analizuar aspektet kryesore. Që prej datës 1 dhjetor, Solana i ka lënë vendin Catherine Ashton, e cila është përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Artikulli i Solanës botohet njëkohësisht në secilin prej vendeve të Ballkanit nga një gazetë e përcaktuar. “Shqip” ka ekskluzivitetin e publikimit të kësaj analize në Shqipëri.
Nga Javier Solana
Ballkani Perëndimor i sotëm është krejt i ndryshëm nga ai që kishim në vitet ‘90. I gjithë rajoni ka lëvizur tashmë përpara drejt stabilitetit dhe kriza ekonomike duket të jetë vështirësia me të cilën rajoni po përballet. Zgjidhja e duhur për rajonin duhet të jetë integrimi në Bashkimin Europian dhe jo ndarjet apo ristrukturimet territoriale.
Duke e parë Ballkanin në dritën e së ardhmes dhe duke qenë i privilegjuar të kem punuar me këto vende për pjesën më të madhe të 15 viteve të fundit, personalisht besoj se kemi arritur në një moment kur integrimi i të gjithë rajonit të Ballkanit në Bashkimin Europian nuk do të jetë i largët. Tashmë, ne e kemi mbyllur kapitullin e menaxhimit të krizave dhe përpjekjeve për stabilizim dhe po punojmë për reforma në sistemin ekonomik, integrimin rajonal dhe mbështetjes për zbatimin e ligjit. Ka dy javë që shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë mund të udhëtojnë lirshëm në territorin e Bashkimit Europian, duke qenë një vendim shumë i rëndësishëm jo vetëm për këto vende, por edhe për ne. Ky vendim ishte jo vetëm politik, por edhe teknik, pasi kishte të bënte me kritere dhe kërkesa specifike që janë të njëjta për të gjitha vendet e rajonit. Unë besoj se Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria do të mund t’i bashkëngjiten së shpejti Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, duke justifikuar edhe mbështetjen e lartë që një veprim i tillë ka ndër shtetasit e këtyre dy vendeve. Bashkimi Europian po shikon mundësitë për të përfshirë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Banorët e Kosovës duhet të përfitojnë nga mundësitë e ofruara prej Bashkimit Europian.
Personalisht ndihem shumë i frymëzuar nga këto zhvillime. Perspektiva europiane bëhet më e ndjeshme dhe e prekshme duke bërë kështu që udhëheqësit të gjykohen nga ajo që ata mund të sjellin bazuar në kriteret dhe specifikat e vendosura nga Bashkimi Europian si pasojë e integrimit në këtë familje dhe përparësitë që ky anëtarësim sjell. Kjo do të jetë faza e ardhshme dhe udhëheqësit e vendeve të rajonit duhet ta kuptojnë këtë ndryshim dhe në të njëjtën kohë duhet të punojnë për të realizuar aspiratat e popujve të tyre.
Kroacia duket të jetë përpara në procesin e anëtarësimit në BE, ndërkohë që Mali i Zi, Shqipëria dhe tani më edhe Serbia kanë dorëzuar aplikimet për anëtarësim. Ishte kënaqësi të shihja Presidentin Tadiç në Stokholm, ndërsa po prezantonte kërkesën për anëtarësim vetëm pak javë pasi BE-ja vendosi të hiqte bllokadën në marrëveshjen mes BE-së dhe Serbisë. E gjithë kjo panoramë është një provë se rajoni po shkon në drejtimin e duhur. Megjithatë ka ende problem dhe veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, ku udhëheqësit lokalë nuk po arrijnë të gjejnë pikat e përbashkëta në përpjekje për të siguruar zhvillim për vendin e tyre. Zyrat e përfaqësuesit special duhet të mbyllet në mënyrë që Bosnja të trajtohet si kandidat i besueshëm për anëtarësim në BE, duke qenë në gjendje të qëndrojë në këmbët e saj dhe të përfitojë nga përparësitë që procesi i integrimit sjell. Kjo mbetet sfida e radhës për udhëheqësit e Bosnjë-Hercegovinës.
Ballkani Perëndimor ka qenë vazhdimisht në vëmendjen time gjatë 10 viteve që kam qenë përfaqësues special i BE-së dhe sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Qindra udhëtime dhe mijëra orë telefonatash dhe takimesh me udhëheqësit e këtyre vendeve kanë qenë një veprimtari normale gjatë këtyre viteve. Bazuar në këto vite pune dhe rezultatet e saj mund të themi se politika e jashtme dhe ajo e sigurisë së Bashkimit Europian lindi dhe u zhvillua në këtë rajon.
Ne jemi dëshmitarë të ngjarjeve tragjike të viteve ‘90 dhe është e rëndësishme që arritëm të përballemi me to dhe të reflektojmë përpjekjet për të mos lejuar ripërsëritjen e tyre duke u riorganizuar brenda nesh, duke u siguruar se BE-ja ka të gatshme procedura të reja të vendimmarrjes, si edhe një doktrinë të re për sigurinë. Pas saj u hodhëm në zbatim të saj.
Një ndër detyrat e para ishte ndërmjetësimi dhe ndihma në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në 2001-shin. Ky proces tregoi se BE-ja është në gjendje të kontribuojë në normalizimin e situatës në rajon. Kjo u pasua me hapjen e disa misioneve me synim mbrojtjen dhe sigurinë Europiane (ESDP) siç janë: EUPM dhe EUFOR në Bosnjë dhe Hercegovina, Concordia dhe Proxima në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë sikurse misionin më të madh EU–EULEX, i cili vepron në Kosovë.
Ndërkohë që rajoni shkon përpara dhe vendet i afrohen anëtarësimit në BE, misionet ESDP të BE-së po transformohen në mënyrë graduale nga misione zbatuese në misione vëzhgimi, trajnimi dhe këshillimore. Ndërkohë që reformat fillojnë të ndihen, misionet jo ekzekutive të BE-së shndërrohen në ndihmë teknike për të mbështetur përgatitjen e këtyre vendeve për anëtarësim në BE. Vendet e Ballkanit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një shembull i mirë i qasjes europiane duke shoqëruar dhe mbështetur këto vende në përpjekjet kundër krizave dhe ndërtimit të institucioneve.
Integrimi rajonal dhe bashkëjetesa në Ballkan është e rëndësishme sikurse anëtarësimi në BE ka qenë lajtmotivi i përpjekjeve që këto vende kanë bërë. Duke krijuar më shumë lidhje mes vendeve të rajonit është e kuptueshme që konflikti mes tyre do të jetë diçka e së kaluarës. Kjo përbën një fitore të madhe edhe për BE-në në vetvete. Sot, të gjitha vendet e Ballkanit duhet të ndjekin shembujt pozitivë dhe të bëhen pjesë e projektit Europian-BE.
Javier Solana ishte përfaqësues i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së në periudhën 1999-2009 dhe sekretar i përgjithshëm i NATO-s në periudhën 1995-1999. (Përgatiti: Dardan Malaj)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›