E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te perndjekurit Pritet zgjerimi i skemës së përfitimit

13/02/2009  Dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, propozohen shtesat që duhet të pësojë ligji

Kërkohet trajtim edhe për të pushkatuarit e të internuarit pa gjyq, si dhe kalimi i trashëgimisë

Skema e dëmshpërblimit të përndjekurve politikë pritet të pësojë ndryshme të tjera, veçanërisht kundrejt zgjerimit të kategorive përfituese. Sipas përcaktimeve të bëra në ligj, janë disa kategori të cilat për shkak të problemeve dhe mungesës së dokumentacioneve nuk mund të bëhen pjesë e kompensimit financiar për dënimin e kryer. Ndërkohë nga Ministria e Drejtësisë është pohuar se propozimet përkatëse për ndryshimet që duhet t’i bëhen ligjit kanë nisur të rishikohen dhe brenda një kohe të caktuar do t’i kalojnë Komisionit të Ligjeve për diskutim e më pas Kuvendit. Këtu bëhet fjalë për më shumë se 5000 të internuar politikë, që janë pushkatuar pa vendime gjyqi. Për këtë kategori mungojnë dokumentet verifikuese të arkivuara në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme.

Ndryshimet

Në një prononcim për gaztën “Metropol” kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë pohon lidhur me këtë çështje: “Aktualisht ne kemi bërë tri kontestime të ligjit, që ia kemi depozituar Komisionit të Ligjeve për rishqyrtim. Nëpërmjet tyre kemi kërkuar që për të pushkatuarit pa gjyq të njihen të paktën pushkatimet që janë bërë pas ’45-s. Ndërsa për ato të ndodhura nga ’45-a deri në vitin 1954, duke qenë se nuk ka dëshmi apo vërtetime nga Ministria e Brendshme, është kërkuar që të njihen vërtetimet e lëshuara nga komisioni trepalësh i asaj periudhe”, - pohon Miraka. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë nuk disponon këto të dhëna, duke qenë se ajo ka vetëm 100 apo 200 emra të personave që janë liruar gjatë asaj kohe, çka mund të vërtetohet shumë lehtë. Kështu që pjesa më e madhe e kategorisë që kanë qenë në këtë periudhë kohe në internim kanë ngelur pa dëmshpërblim, pasi s’kanë dokumente për të vërtetuar një gjë të tillë. Kjo sepse ligji thotë se njihen dokumentet që janë arkivuar para ’90-s, ndërsa për këtë shtresë dokumentet në Ministrinë e Brendshme janë arkivuar pas ’90-s.

Verifikimet

Vazhdojnë verifikimet, mendohet se shumë shpejt mund të ketë një dëmshpërblim për një listë rreth 1400 apo 1500 veta. Sipas Mirakës, lista dërgohet nga Ministria e Drejtësisë, pasi vjen përgjigjja nga ky dikaster kundrejt personit që ka aplikuar, ku deklarohet përgjigjja se “dosja juaj është në shqyrtim në themel”, atëherë kjo dosje i kalon Ministrisë së Financave për verifikim, Entit të Banesave, Shërbimit Informative dhe hipotekës. Kur nga këto dikastere vjen përgjigje pozitive, atëherë kandidati në fjalë futet në listën e dëmshpërblimit. Kjo listë, në bazë të fondit që është për këtë tremujor, i dërgohet Këshillit të Ministrave dhe pret miratimin. Aktualisht verifikimet vazhdojnë rregullisht sipas përgjigjeve që vijnë nga komisioni përkatës.

Trashëgimia

Një tjetër ndryshim i kërkuar është ai i kalimit të trashëgimisë te pjesa tjetër e familjes për disa kategori. Ligji thotë se trashëgimtar i parë i dëmshpërblimit janë gruaja dhe fëmijët. Por ka raste specifike, siç janë ata të klerit katolik, bektashinjtë apo kategori të tjera të veçanta, pasojat e internimeve të tyre i kanë vuajtur familjet e tyre, pasi ligji i ndalonte martesat për ta. Sipas Mirakës, nuk janë të paktë personat e kësaj kategorie janë pushkatuar të rinj në moshë, prandaj kërkohet që dëmshpërblimin tani ta përfitojnë nipërit dhe pjesa tjetër e familjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›