Bashkia ndërpret aplikimet për bonos qiraje
Bashkia e Tiranës ka ndërprerë përfundimisht aplikimet për përfitimin e bonusit për të pastrehët në kryeqytet. Sipas burimeve të bashkisë, aktualisht mund të aplikojnë vetëm ata që u prishet banesa prej projekteve të bashkisë, ndërsa kategoria tjetër e qytetarëve të pastrehë nuk mund të aplikojnë më për të përfituar bonus qeraje, deri në miratimin e një sistemi të ri të pikëzimit për këtë program.
Dhënia e bonuseve do të miratohet nga këshilli bashkiak jo me si sistem pikëzimi, por thjesht si subvencionim, apo ndihmë që jep bashkia. Pjesë e këtij përfitimi do të bëhen vetëm banorët që do t'u prishen shtëpitë nga projekti i Unazës së Madhe si dhe atyre që do t'u prishen shtëpitë nga projekti për ndryshimin e territorit të Kamzës. Rasti më i fundit ku banorët mbetën të pastrehë dhe përfituan bonus nga bashkia, ishte ai i prishjes së ndërtesave pa leje përgjatë Lumit të Lanës dhe pranë Maternitetit te Ri, ku rreth 32 kryefamiljarë përfituan shumën mujore prej 15 mijë lekësh, për të mundësuar pagesën mujore në shtëpitë me qira që do të merrnin. "Një ndër projektet e bashkisë, nga i cili pritet prishja e shumë banesave, është zbatimi i projektit për Unazën e Madhe", thanë burimet pranë bashkisë. Ky aks rrugor është projektuar që të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit dhe pranë Akademisë së Rendit Publik.
Email This Klikime: 3
Email This Klikime: 3