KQZ anulon takimin me Glover
Debati për ambasadoren britanike të ODIHR, Audrey Glover, duket se ka prekur edhe institucionet shqiptare që merren me administrimin e procesit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar një takim të programuar me drejtuesit e misionit të ODIHR-it. Dje paradite ishte parashikuar një takim i 7 anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me drejtuesen e misionit të ODIHR-it, ambasadoren Glover. Ky takim është shtyrë pa dhënë ndonjë nga arsyet zyrtare për këtë shtyrje. Ndërsa mësohet se anulimi i kësaj vizite mund të lidhet edhe me faktin se ka një përplasje ndërmjet Tiranës zyrtare, Qeverisë dhe ODIHR-it për emërimin e Glover në postin e drejtueses të misionit që do të merret me certifikimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Anëtarët e KQZ-së u njoftuan nga administrata të hënën në darkë për anulimin e mbledhjes së parashikuar për ditën e djeshme, për shkak të takimit të parë me kryetaren e misionit të ODIHR-it. KQZ-ja nuk jep arsyen zyrtare për shtyrjen e këtij takimi, por sipas burimeve mësohet se ai mund të zhvillohet në ditët në vijim. KQZ-ja kërkon të fitojë kohë derisa të sheshohen këto përplasje për të realizuar më pas takimet institucionale. Vetë anëtarët e KQZ-së shprehen se vetë nuk janë në dijeni nga drejtuesit e këtij institucioni për mos zhvillimin e takimit me zyrtarët e ODIHR-it në Tiranë. Dy ditë më parë, “Zëri i Amerikës” bënte të ditur se konflikti mes Qeverisë dhe OSBE-së për çështjen e kreut të misionit të ODIHR-it u konfirmua edhe nga vetë kreu i KQZ-së, Arben Ristani. “Në situatën e krijuar është përfshirë edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili është përpjekur të negociojë personalisht”, thuhej në VOA. Në një komunikim telefonik me “Zërin e Amerikës”, kryekomisioneri shpjegoi se, “qeveria e kundërshton shefen e misionit të ODIHR-it për problemet e lindura në 1996”. Ristani shtoi se, “interesi është që palët në procesin zgjedhor të kenë besim te procesi dhe kur njëra palë nuk ka besim tek arbitri, ky besim mund të cenohet”. ODIHR pas instalimit në Tiranë një javë më parë ka nisur zyrtarisht takimet me institucionet shqiptare, partitë politike për t’u njohur më nga afër me përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.