Hamami i grave
Ahmet Dursun
Edhe pse çudia nuk ka as një vlerë në vetvete, unë vazhdoj të çuditem... Hamami i grave dhe selitë e partive, në
këto çaste, sa shumë ngjajnë me njëra-tjetrën! Ç’lidhje ka do të thoni?! Ka. Çuditërisht, ja që ka...
Më kujtohet si në avull. Një mëngjes, mamaja, mamia dhe disa shoqe të tyre ishin bërë gati të dilnin.
- Do të vij edhe unë!
- Jo, - më thoshin njëherazi. Aty ku do të shkojmë ka vetëm gra.
Isha katër ose pesë vjeç. Diafragma i bënte presion gjoksit dhe po ta liroja, të gjithë e dinin shpifurinë bindëse të qarjeve të mia.
Mbërritëm. Para ndërtesës së vjetër, kishin ndaluar disa karroca me dru, që prisnin të shkarkoheshin. Te dera, një grua e shëndoshë me një fletore në dorë dhe pranë saj, një tavolinë me një sirtar gjysmë të hapur që mbante të hollat.
Ishim nga të parët. Mamaja u përkul te veshi im.
- Mos e hap gojën, se nuk të pranojnë! Ngelesh përjashta, – më tha.
Gruaja e shëndoshë, prej aty ku ishte, me një zë burri u ulërinte druvarëve.
- Atje, te dera tjetër! Nuk e mësuat, pas kaq vitesh, ku do të shkarkoni?!
U drejtua nga unë.
- Po ti, ç’do këtu?! S’të vjen turp, gjithë ky çun!
Unë, me të dyja duart e kisha mbyllur gojën. Urtësia e treguar e bëri të më buzëqeshte. Gjithsecilës, pasi paguante, i zgjaste një llastik që mbante çelësin dhe një numër.
Në njërën faqe të murit ishin varur beze të bardha dhe në tjetrën dollapë me numra. Pas pak, dhoma u mbush plot e përplot me gra. Nuk po merrja vesh asgjë. Filluan të zhvisheshin. Duart i çova te koka. Goja m’u hap një pëllëmbë. Era e mykut, nallanet prej druri dhe dhjetëra gra lakuriq...
Më zhveshën edhe mua. I tmerruar, u kapa me të dyja duart te këmba e mamasë. Mamisë iu desh një përpjekje e dytë për të më shkëputur nga trupi i saj. Kaluam një derë të trashë druri, pastaj një tjetër. Avulli dhe nxehtësia m’u përplasën në fytyrë. Me gjithë frikën e rrëshqitjes nga nallanet, nxitonin për të zënë stolat që qëndronin para dhjetëra çezmave të vendosura në katër anët, madje edhe te shtyllat. Fytin e çezmave e kish mbërthyer një zinxhir, nga i cili varej një pagure bakri. Poshtë tyre një govatë prej guri e gdhendur. Shushurima dhe të qeshura. Uji rrëshqiste në trupin e grave bashkë me shkumën dhe çdo herë shkuma zbardhej. Zërat, të bërtiturat, të qeshurat përplaseshin në muret e trasha. Asgjë s’merrej vesh. Në mes qëndronte një gur shumë i madh, i rrumbullakët dhe disa gra shtrirë mbi të. U bëra kurioz. Shkova dhe u ula në të. Po ta zgjasje dorën nga qendra e gurit, shtohej nxehtësia. Kuptova se gjithçka ngrohej nga ky gur, madje edhe uji. Me majat e gishtave luaja me pikat e djersës që më rridhnin nga i gjithë trupi. Ngrita kokën. Sipër gurit qëndronte një kube si ajo e xhamive. Aty nuk kish Zot. Pejgamberi kish ikur me leje.
Kur dolëm, m’u duk sikur më kishin falur gjithë lodrat e botës. E para dhe e fundit herë...
Kryetarët e partive, prej kohësh, përpiqen të bindin militantët të sjellin dru në selitë e tyre. Oxhaku tashmë është ndezur. Çdo ditë e më shumë krijohen radhë në derën ku shkarkohen drutë, pasi është e qartë që sondazhet maten nga fuqia e tymit. Kryetarët, ashtu si ajo gruaja e shëndoshë, çdo mëngjes presin kandidatët për deputetë. Pasi ua vendosin në kyç llastikun me numrin përkatës, urdhërojnë:
- Hyni tani! Djersini sa më shumë, që të dobësoheni ashtu si populli! Tregojeni që jeni një nga ata! Lahuni! Pastrohuni mirë! Fërkojeni edhe njëri-tjetrin! Vetëm në këtë mënyrë, 29 qershori do t’ju gjejë të lehtësuar...
Kandidatët, një nga një, hyjnë në dhomën e zhveshjes. Ata që e kanë për herë të parë, vënë duart mbi kokë dhe gojëhapur ngrijnë në vend nga lakuriqësia. Kalojnë në dhomën e nxehtë. Mendimeve u merret fryma dhe idealizmi u ka lënë vendin ulërimave! Aq sa, edhe i ndjeri Ferdinand Dedja, në këtë katrahurë zhurmash, do të humbiste virtuozitetin e veshëve të tij. Pranë çezmave, të ndarë në grupe, pasi lahen dhe fërkohen, lakmojnë të shtrihen në gurin e rrumbullakët...
29 qershori, edhe njëherë, do të na tregojë se do të ketë deputetë, që asnjë hamam nuk do arrijë dot t’i lajë e t’i pastrojë!
Ka ardhur koha, që zgjedhësit shqiptarë t’i lënë të njomurit të thahen në diell, pavarësisht sa u ka kushtuar llastiku me numër! Ta lënë të thatin me të thatin!
a.dursun@pergjegjesitebarabarta.com