E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqe drithëruese në “Qemal Stafa”, Milan kalon me penallti

 

Leonard Karaj

Spektakël dhe gola. Në fakt ajo pritej. Dy skuadra që më tepër se për sfidën dhe trofeun në valle u munduan ti “bënin qejfin” njëra-tjetrës. Në pjesën e parë një Milan thuajse galaktik, ndërsa në pjesën e dytë u “ringjall” skuadra e Bushatit, kjo edhe për shkak të lëshimit në vijën e mbrojtjes të futbollistëve të Milanit. Tre gola të shpejtë të kuqezinjve të Bushatit (këtë herë me fanellën e dytë të kombëtares, atë bardhëkuqe) dhe më pas barazimi i milanistëve me të përhershmin, Filipo Inzaghi.
Atmosfera
Nën një atmosferë elektrizuese do të startonte takimi Shqipëria B-Milan e vlefshme për trofeun “Taçi Oil 2”. Që prej daljes në fushën e lojës të futbollistëve për nxehmjen, sportdashës të shumtë përkrahën idhujt e tyre. Kjo gjë vazhdoi edhe më pas, ku gati sa nuk kuptohej se cilën skuadër përkrahnin tifozët e shumtë në shkallët e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Aq sa diku nga mesi i pjesës së parë, teksa trajneri i Milanit nxori për nxehje stolin, ku mes tyre binte në sy Seedorf dhe Kaka, tifozët e shumtë gati harruan ndeshjen në fushën e lojës, duke u përqendruar më së shumti tek braziliani dhe holandezi, i cili shkelte për herë të tretë në Shqipëri (ndaj Tiranës dhe me kombëtaren portokalli).
Ndeshja
Milani zbriti në fushën e lojës me Paton, Shevçenkon dhe Ronaldinjon që nga minuta e parë duke lënë në stol Kaka, Sedorf dhe Bekam. Nga minuta e parë, pas disa muajsh mungese për shkak dëmtimi, luajti edhe Xhenaro Gatuzo, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit në këtë miqësore luksi. Pas disa shpërthimesh të Pato-s, të cilit iu anulua edhe një gol për pozicion jashtë loje erdhi goli i Ronaldinjos. Në të vetmin rast që braziliani iu afrua portës së mbrojtur nga Ujkani dhe Ronaldinjo shënjestroi mirë cepin e djathtë të kosovarit, i cili zhvillonte ndeshjen e parë me Kombëtaren shqiptare dhe, për më tepër, si titullar. Nga ana tjetër, Bushati hodhi në fushën e lojës skuadrën e tij më të mirë të mundshme, ku binin në sy lojtarë titullarë të kombëtares A si Klodian Duro, Hamdi Salihi, Elvin Beqiri, Ervin Bulku, Kristi Vangjeli, Elis Bakaj, Endri Vrapi, Hansi Agolli etj. Por djemtë e Bushatit, përveç një rasti të shkodranit të Riedit, i cili u koordinua mirë, nuk sollën asgjë tjetër për të shënuar. Topi i gjuajtur nga Salihi ka përfunduar jashtë kuadratit të portës së mbrojtur Kalas e kështu australiani i Milanit nuk është në vështirësi.
Golat
Pjesa e dytë nisi sërish me gol. Këtë herë ish-Topi i Artë, Andri Shevçenko arrin të shënojë në portën e Ujkanit pas një gabimi të mbrojtjes sonë, veçanërisht të Pishës. Nisin zëvëndësimet te të dy skuadrat e ndërsa forcohet kombëtarja jonë, dobësohet Milani. Më nje përmbysje të shpejtë Shqipëria ka dalë në avantazh 3-2. Spikasin golat e Vilës, talenti durrsak i shpalosi vlerat e tij edhe në këtë ndeshje, por dhe i Gjergji Muzakës, i cili shënon për të dytën herë në portën e Milanit. E këta gola të shpejtë me anë të Emiliano Vilës, Hamdi Salihit dhe Gjergji Muzakës ngritën peshë “Qemal Stafën”. Vetëm atëherë Ançeloti futi në lojë Inzagin i cili shënoi golin e barazimit për Milan. 3-3 dhe për të shpallur fituesen e trofeut “Taçi Oil” janë dashur gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë, ndonëse tifozët nuk kanë duruar që të zbresin në fushë e lojës për të marrë autografe lojtarëve. Nga pika e bardhë e 11-metërshave për Shqipërinë gaboi mbrojtësi shkodran Elvin Beqiri, duke i dhënë kështu trofeun për këtë radhë skuadrës së Milan. Trofeun kapitenit të Milanit, Filipo Inzagi, ia ka dorëzuar presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka qenë më shumë se i kënaqur që ishte pjesëmarrës në këtë aktivitet. Kështu Milani ka fituar këtë trofe, ndërsa prezenca e kuqezinjve të Ançelotit për herë të dytë në Tiranë ka kënaqur të gjithë në kryeqytet

Skeda

Shqipëria - Milan    3 - 3 (4 - 5 me penallti)
Shënues: 62’ Emiliano Vila, 71’ Gjergji Muzaka, 75 Hamdi Salihi/ 22’ Ronaldinho, 49’ Shevchenko, 79’ Inzaghi
Penalltitë: Kaka (gol), Pisha (gol), Seedorf (gol), Muzaka (gol), Flamini (gol), Vila (gol), Thiago Silva (gol), Vrapi (gol), Inzaghi (gol), Beqiri (jashtë)
Stadiumi: “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Lorenc Jemini

Shqipëria: Ujkani (Mocka), Lila, Beqiri, Vrapi (Pisha), Vangjeli, K.Duro, Agolli, Bylykbashi (Hyka), Bakaj (Muzaka), Memelli (E.Vila), Salihi (Shtubina)
Trajner: Artan Bushati

Milan: Kalac (Perrucchini), Thiago Silva, Senderos, Mattioni, Antonini (Zambrotta), Jankulovski, Gattuso (Flamini), Pirlo (Seedorf), Ronaldinho (Albertazzi), Shevchenko (Inzaghi), Pato (Kaka)
Trajner: Carlo Ancelottti

Memelli: U tërhoqa se u dëmtova

Sulmuesi i Tiranës, njëkohësisht golashënuesi më i mirë i Superligës, Migen Memelli pohoi se zëvendësimi në pjesnë e dytë kishte qenë për shkak të një dëmtimi të lehtë muskulor. Por ai ka konfirmuar se do të jetë për ndeshjen derbi të kësja fundjave ndaj Dinamos. “Dola nga loja pasi pësova një dëmtim të lehtë muskulor dhe nuk doja të rrezikoja më shumë. Kisha frikë se ky dëmtim të acarohej më shumë nëse do të vazhdoja lojë. Gjithsesi konfirmoj se nuk do të mungoj në ndeshjen derbi të kësja jave me Dinamon”, ka pohuar sulmuesi bardheblu pas ndeshjes Shqipëri-Milan. Memelli luajti si titullar në këtë takim por në pjesnë e dytë ai u zëvendësua nga sulmuesi i Teutës së Durrësit, Emiliano Vila.

Ançeloti: Milani im nuk neglizhoi ndaj Shqipërisë

Trajneri i Milanit Karlo Ançeloti theksoi se skuadra e tij luajti për ta fituar këtë takim paçka se në pjesën e dytë u pa një skuadër që lëshoi shumë në fushën e lojës. Milani pësoi tre gola në vetëm 20 minuta nga ana e kuqezinjve të drejtuar këtë herë nga trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Artan Bushati. “Në radhë të parë dua të them se jam i kënaqur me mikpritjen që na kanë rezervuar për herë të dytë në Shqipëri. Përsa i përket ndeshjes ne u futëm në fushë bër të bërë lojën tonë por në pjesën e dytë pësuam kundërsulmet e skuadrës shqiptare. Gjithsesi mund të them se ishte një ndeshje e bukur”, tha Ançeloti. I pyetur nëse ai ishte i kënaqur që të paktën për këtë sezon fitoi një kupë “Taçi oil”, trajneri i Milanit me shumë sportivitet i devoi pyetjes duke pohuar se e rëndësishme për të ishte që Milan të mbyllte kampionatin duke kaluar direk në Kupën e Kampioneve. “Ne kishim vënë disa objektiva, titullin dhe Kupën e Kampioneve. Për momentin duam të arrijmë sa më parë objektivin e vetëm të mbetur, vendin e dytë në Serie A, i cili do të na çojë direkt në Champions. Sezonin tjetër do të provojmë që të jemi kompetitivë si në kampionat dhe në Kupën e Kampioneve”, konfirmoi trajneri i Milanit Ançeloti. Pas shtatë vitesh si trajner i kësja skuadre, Ançeloti ndiohen për herë të parë më shumë se kurrë largimin nga kjo skuadër. Ofertat e Çelsit por edhe deklaratat e presidentit të Milanit Silvio Berluskoni e shohin Ançelotin shumë larg Milanit për sezonin e ardhshëm.

Rinasi e Tirana “vishen” kuqezi, mbërrin Milani

Tifozët shqiptarë i kanë rezervuar një tjetër pritje të nxehtë gjigandëve të futbollit botëror Milan, të cilët për të dytën herë brenda një viti prekën tokën shqiptare.
 Qindra njerëz me fanellat dhe flamujt kuqezi të skuadrës italiane kanë pritur në aeroportin “Nënë Tereza” yjet e futbollit si Kaka, Ronaldinjo, Bekam, Sedorf apo Pato, të cilët luajnë mbrëmë në stadiumin “Qemal Stafa” kundër një seleksioni të kombëtares shqiptare në edicionin e dytë të trofeut “Taçi Oil 2”. Pas largimit nga aeroporti autobusët e skuadrës milaniste janë shoqëruar gjatë gjithë rrugës nga makina të shumta. Entuziazmi i tifozëve të shumtë ka kapur kulmin, kur të gjithë yjet e kësaj skuadre zbritën në një nga pikat e karburantit të kompanisë “Taçi Oil”, ku bashkë me presidentin e kësaj kompanie Rezart Taçi dhe administratorin e deleguar të klubit Adriano bënë foton zyrtare. Edhe gjatë rrugës për në hotelin ku është akomoduar, skuadra e Milanit u shoqërua nga qindra tifozë shqiptar. Atmosfera miqësore vazhdoi edhe në shkallët e stadiumit ku si para takimit edhe gjatë tij sportdashësit mbështetën jo vetëm skuadrën kombëtares shqiptare por edhe yjet e Milanit. Për të veçuar një dalje e pankinës VIP, gjatë pjesës së parë në nxemje (Kaka, Sedorf) ku për disa minuta sportdashësit harrun fare që në fushën e lojës zhvillohej një takim. atmosfera elektrizuese vazhdoi edhe pas takimit ku autobusi i skuadrës së Milanit u shqoëruar nga qira tifozë edhe deri në hyrje të hotel “Sheraton”. Milan u largua mbrëmë nga Shqipëria rreth orës 11:00.

“I arrita qëllimit me golin”
E kishte deklaruar se e kishte fiksim një gol ndaj Milanit dhe ia arriti qëllimit. Hamdi Salihi realizoi golin e tretë për Shqipërinë B në miqësoren e luksit ndaj Milanit mbrëmë në “Qemal Stafa”, që u mbyll me rezultatin 3-3. “Më erdhi shumë mirë që ia arrita qëllimit, pasi e doja me çdo kusht një gol kundër Milanit dhe e realizova qëllimin. Mendoj se ishte një ndeshje mjaft argëtuese dhe që përmbushi qëllimin që kishte. Ndihem mirë që isha pjesë e kësaj skuadre, të mbushur me talente, - tha sulmuesi. – Me kaq kohë sa kishim në dispozicion mendoj se bëmë një paraqitje dinjitoze. Edhe pse nuk fituam arritëm të bënimnjë përmbysje dhe humbëm vetëm nga pika e bardhë”. Salihi u zëvendësua në minutën e 88-të të ndeshjes, duke i lënë vendin Shtupinës, një tjetër talenti shkodran që aktualisht aktivizohet te Vllaznia. Një mesfushor që pritet te ketë një të ardhme të ndritur, ashtu si edhe Salihi.

Duro: Me Ronaldinjon u sqarova jashtë fushe
Klodian Duro ka qenë shqiptari që luajti më shumë se të gjithë mbrëmjen e të martës ndaj Milanit, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit të Kombëtares. Gjatë ndeshjes ka pasur edhe një debat me Ronaldinjon, teksa ka zgjedhur mënyrën shqiptare për ta zgjidhur. “Do ta thërras pas ndeshjes si shqiptar që jam dhe do ta sqaroj, - tha Duro mes batutave. – Pata një debat me Ronaldinjon në kornizat e profesionizmin dhe asgjë më shumë. Madje, pati më shumë nota humori”. Për ndeshjen Duro shton: “Ishte një kënaqësi e pamasë të luaja kundër një skuadre si Milani. Më vjen mirë që m’u dha ky shans. E rëndësishme ishte që të kënaqnim më shumë publikun e mrekullueshëm që kishte mbushur stadiumin dhe besoj se ia arritëm. Ishte vërtet një mbrëmje emocionuese”, - tha mesfushori kuqezi.  

Surpriza e Kakasë: Kam disa miq nga Shqipëria
Rikardo Kaka dhe Shqipëria e lidh një miqësi më e hershme se ndeshja e mbrëmshme. Këtë gjë ylli brazilian i Milanit e pohoi për gazetën “Panorama” ku theksoi se në vendin tonë kishte ardhur edhe për faktin se kishte miq shqiptarë. “Në tetor nuk munda të luaj, por të gjithë tek Milan më folën shumë për mikpritjen që patën kur erdhën në Shqipëri herën e parë dhe tani e provova vetë. Njoh disa shqiptarë dhe më duken njerëz të mirë. Kam tre miq të cilët i respektoj. Mua personalisht më pëlqen të njoh njerëz të rinj dhe eksperienca të reja, kështu që ardhja këtu ishte diçka e mirë të cilën e kam vlerësuar shumë”, u shpreh braziliani Kaka. “Topi i Artë” 2007 nuk erdhi në 14 tetor të vitit të kaluar në Shqipëri për shkak të impenjimeve me kombëtaren braziliane të futbollit. Në atë takim, ku Milani luajti me Tiranën, mungoi edhe Pato.
Ndërsa Devid Bekam pohoi se ishte mjaft i kënaqur që kishte shkelur tokën shqiptare sërish pas vitit 2001 kur ai erdhi me kombëtaren angleze. “Jam përsëri i lumtur që erdha në Shqipëri, sepse më parë kam luajtur me kombëtaren e Anglisë. Për më tepër që atëherë fituam. Qëndrimi tek Milan ishte diçka e mirë, ndihem mirë dhe jam shumë i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit”, tha mesfushori anglez i kuqezinjve, David Bekam.
Në konferencën për shtyp, presidenti i kompanisë Taçi-Oil, Rezart Taçi, ka bërë të ditur se të gjitha të ardhurat do të shkojnë në ndihmë të fondacionit fëmijët në nevojë. “Trofeu Taçi-Oil është bërë tashmë një traditë dhe reflekton miqësinë mes popujve, për të promovuar sportin kulturën dhe vlerat që i karakterizojnë. Përfaqësuesi më i denjë i tyre është zoti Galliani, administratori i Milanit, i cili solli të 5 herë Kampionët e Evropës. Të ardhurat do të shkojnë në favor të fondacionit në ndihmë të fëmijëve në nevojë, të përfaqësuar nga zonja Berisha” tha Rezart Taçi. Kjo është hera e dytë që skuadra prestigjoze e Milan mbërrin në Tiranë, për të diskutuar turneun “Taçi-Oil”, ndërkohë që në ndeshjen e parë kuqezinjtë e Italisë, janë mundur 2-1 nga Tirana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›