E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Punës: Po hetojmë skandalin e zhdukjes së dosjeve


TIRANË - Skandali i abuzimeve me fondet në zyrat e punës në qytetin e Laçit do të hetohet dhe përgjegjësit do të vihen para drejtësisë. Një ditë pas denoncimit të zhdukjes së dosjeve në zyrat e punës së këtij qyteti ka reaguar Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale duke theksuar se të dyshuar janë dy punonjës të zyrave të Punës në Laç. Sipas Alma Lahes, zëdhënëse e kësaj ministrie, auditi ka nisur punën që para një jave dhe ka konstatuar shkelje, duke vërtetuar atë çka qytetarët tregojnë se rezultojnë të jenë trajtuar me dy paga: edhe me asistencë sociale dhe me pagese leje lindjeje.

"Javën e ardhshme ne presim përfundimin e draftit të kontrollit, i cili ka konstatuar shkelje në këtë zyrë. Do të merren masa për personat përgjegjës dhe, nëse do të ketë vepër penale, do të ketë procedim penal. Do të merren masa që çdo qindarkë e abuzuar të shkojë në vendin e vet",- u shpreh zëdhënësja Alma Lahe, duke shtuar se mund të jenë dy ish-punonjës të kësaj zyre të cilët kanë abuzuar me fondet, por që menjëherë sapo të përfundojë kontrolli, përgjegjësit e këtij skandali do të marrin ndëshkimin maksimal dhe arkës se shtetit do t'i kthehet çdo qindarkë e vjedhur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›