Fier, nuk kishte patentë, plagos policin rrugor
FIER - Punonjësi i policisë rrugore i ka bërë shenjë të ndalojë, por drejtuesi jo vetëm nuk e ka zbatuar urdhrin, por edhe ka tentuar ta përplasë. Policia ka vënë në pranga një 19-vjeçar nga rrethi i Fierit për shkak se ka plagosur një polic rrugor. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 20:12, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i ambulancës". Shtetasi Arbër Mehmeti po drejtonte automjetin e tij tip "Benz" me targa FR 1763 C. Për shkak të shpejtësisë me të cilën ai po lëvizte, polici rrugor i cili ishte me shërbim në lagjen "1 Maji" i ka bërë shenjë që të ndalojë.
Por, sipas bluve, 19-vjeçari jo vetëm që nuk ka ndalluar, por njëkohësisht ka aksidentuar punonjësin e policisë dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Ndërkaq, është njoftuar grupi i gatshëm i cili ka bërë të mundur edhe kapjen e Mehmetit. Mësohet se 19-vjeçari nuk ka pranuar që të shkojë në komisariat me policët duke i kundërshtuar dhe fyer ata në momentin që i është kërkuar që të shoqërohet. Gjithashtu, ka rezultuar se Mehmeti nuk zotëronte dokumentin e lejimit të drejtimit të automjetit.