E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli i Thirrës rimbyllet për dy ditë

RRËSHEN-KALIMASH/ Që të martën në mbrëmje deri të enjten në mëngjes tuneli do të qëndrojë i mbyllur

"Punimet elektromekanike e përforcuese" mësohet të jenë shkak për ndalimin e qarkullimit në këtë aks

THIRRË - Vijon seriali i mbylljes së tunelit të Thirrës në segmentin autostradal Rrëshen-Kalimash. Shkak për mbylljen e tij, sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit janë disa punime elektromekanike dhe përforcuese në galerinë jugore. Burimet zyrtare të ministrisë shprehen se këto punime "për arsye teknike dhe sigurie nuk mund të zhvillohen në prezencë trafiku". Mbyllja e Tunelit të Thirrës do të realizohet për dy ditë dhe përkatësisht nga ora 23:00 e së martës (18 gusht) deri në orën 07:00 të së enjtes (20 gusht). Përgjatë kësaj kohe, të gjithë personat që lëvizin, duhet të përdorin një tjetër aks rrugor.

***

Që prej hapjes së tunelit të Thirrës (i hapur është vetëm prej tuneleve, ku në funksion ka qenë vetëm një korsi) më 25 qershor të këtij viti, punimet kanë vijuar qoftë në tunelin paralel, por dhe në vetë atë që ka funksionuar pasi disa qindra metra kanë funksionuar me rrjetë sipër dhe të paasfaltuara poshtë në taban. Një gjë e tillë ka bërë që tuneli të kishte probleme që në ditën e dytë të hapjes së tij, ku një pjesë e rrjetës ra dhe bllokoi qarkullimin e automjeteve. Më tej u mor një vendim që deri në kohë të papërcaktuar tuneli do të qëndronte i mbyllur nga ora 23:00 - 07:00 dhe do të funksiononte në orët e tjera të ditës, për t'i dhënë mundësi kështu firmës që të vijonte punimet e papërfunduara. Pastaj u mor një tjetër vendim dhe tuneli i përuruar pa përfunduar mirë u mbyll për disa ditë, për t'u hapur sërish. Tashmë tuneli i Thirrës do të qëndrojë i mbyllur për dy ditë të tjera.

***

Ndërkohë që lumi i makinave që erdhi gjithnjë në rritje për shkak të periudhës së pushimeve verore, në hyrje të tunelit është disiplinuar të kalojë me kalime të njëtrajtshtme peridike nën shoqërimin e vëzhguesve të kompanisë ndërtuese dhe policisë së akomoduar aty. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, 170 kilometra e gjatë, ka shkurtuar në mënyrë të ndjeshme distancën mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe shtoi lëvizjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke pasur një kohëzgjatje më të paktë se nga Qafa e Malit. Pikërisht këto dy ditë të bllokimit të tunelit kalimtarëve kosovarë do t'u duhet të shtegtojnë sërish aksit të vjetër.

***

Segmenti i rrugës Kukës-Morinë, pjesë e autostradës Milot-Kukës-Morinë, ende nuk ka përfunduar. Por me asfaltimin e rrugës automjetet qarkullojnë me shpejtësi të madhe, ndërkohë që në shumicën e segmenteve të rrugës mungon sinjalistika horizontale dhe vertikale duke u bërë shkas për aksidente. Sinjalistika është e vendosur vetëm nga fshatin Bardhoc deri në Pobreg.

Kjo pjesë e rrugës është e përfunduar, ndërsa në segmentet e tjera janë duke vazhduar punimet, ku shumë prej kontraktorëve janë duke dhënë dorën e fundit të asfaltit. Por specialistë të kompanisë kanë pohuar se vendosja e sinjalistikës në aksin rrugor Kukës-Morinë vazhdon të mbetet problem, pasi firmat kontraktore që po përfundojnë rrugën nuk e kanë të parashikuar në kontratë vendosjen e sinjalistikës rrugore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›