E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leje emigrantëve për pasaportat e vjetra

Policia nuk ka mundësi prodhimi të pasaportave biometrike, lejon përdorimin e pasaportave të vjetra nga emigrantët


TIRANË- Qeveria shqiptare tërhiqet nga vendimi i saj për të ndaluar emigrantët që të largohen pa pasaporta biometrike. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit, ka sqaruar dje se të gjithë ata emigrantë që kanë në përdorim një pasaportë ekzistuese, mund të kalojnë pa asnjë problem kufirin shqiptar, për të shkuar në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Sipas saj, pasaportat ekzistuese mund të përdoren nga emigrantët përderisa nuk ka një vendim për zhvlerësimin e tyre. Kështu të gjithë ata emigrantë që nuk kanë mundësi kohore për t'u pajisur me pasaportat biometrike, mund të përdorin pasaportën e mëparshme për të kryer të gjitha veprimet doganore në pikat e kalimit kufitar.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit pohuan dje për "Shekullin", se nuk është domosdoshmëri pajisja me pasaportën biometrike me qëllimin për të lëvizur jashtë Shqipërisë, kur emigrantët posedojnë pasaportën ekzistuese. Sipas policisë, në rastet kur pasaportës së vjetër i ka kaluar afati nuk do të ketë asnjë tolerim dhe vetëm në këtë rast është e domosdoshme pajisja me pasaportën e re. Reagimi i Policisë së Shtetit vjen pas problemeve te shfaqura në disa rrethe të vendit në zyrat e aplikimit për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. Sqarimi vjen dhe pas dyndjes në zyrat e gjendjeve civile të emigrantëve që aplikojnë për pasaportat e reja biometrike. "Nuk është e vërtetë se pasaportat biometrike janë kusht për të hyrë apo për të dalë nga kufiri. Mjafton që emigrantët që kthehen për në vendet ku jetojnë të jenë të pajisur me pasaporta të vjetra por ato të jenë brenda afatit",- thanë dje burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Emigrantët që janë kthyer me pushime në Shqipëri kanë hasur një sërë problemesh në pajisjen me pasaporta biometrike dhe karta identiteti. Shumë prej tyre ngrenë shqetësimin e mos shpërndarjes në kohë të dokumenteve të reja, duke iu rrezikuar në këtë mënyrë dhe lejet e qëndrimit në vendet ku punojnë dhe jetojnë. Në qytetin e Shkodrës, Lezhës, Fierit, Elbasanit, vonesat në pajisjen me dokumentet e rinj identifikues është më e theksuar, duke sjellë dhe reagimin e ashpër të emigrantëve. Jo vetëm emigrantët, por edhe qytetarët e tjerë kanë ngritur shqetësimin për mungesën e kuponëve, mbylljen gjatë fundjavës të sporteleve të aplikimit si dhe mungesa e internetit në shumë njësi vendore.



Mbipopullimi
Zyrat e aplikimit në të gjithë vendin janë mbipopulluar edhe nga ardhja e emigrantëve, për faktin se ata kërkojnë të pajisen me pasaportën biometrike dhe kartën e identitetit. Ministria e Brendshme e shikon të lidhur ngushtë me liberalizimin e vizave, pajisjen e qytetarëve edhe me pasaporta biometrike.

Sipas këtij dikasteri, disponimi i një pasaporte biometrike është një nga kushtet themelore të përfitimit të liberalizimit të vizave si dhe nga ky proces do të përfitojnë vetëm ata qytetarë që kanë në duart e tyre pasaportën biometrike. Ky fluks emigrantësh ka bllokuar sërish qytetarët që të aplikojnë për karta identiteti. Deri në fund të qershorit, procesi ishte ekskluziv për personat pa pasaporta sepse këta duhet të votonin. Pas zgjedhjeve situata u bllokua sërish nga ardhja e emigrantëve dhe tashmë aplikimet për ata që banojnë në Shqipëri duhet të vazhdojnë pas muajit shtator.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›