Shkodër, listat e ushqimeve mbushin dyqanet
VARFËRIA / Dyqane të ndryshme japin ushqime me listë për familjet që s'kanë me se të paguajnë. Flasin shitësit
Deri në 200 mijë lekë është shuma që pranohet të merret borxh, më pas familjarëve u duhet të paguajnë
SHKODËR - Pamundësia ekonomike për të përballuar jetesën, papunësia dhe varfëria prezente, bën që mjaft familje të marrin ushqime me listë nëpër njësitë e tregtimit të ushqimeve. Fenomeni është i përhapur jo vetëm në qytet, por dhe në fshat dhe, sipas tregtarëve që kanë dyqane ku tregtojnë produkte ushqimore, ka pësuar rritje. Janë familje që kanë të papunë, të sëmurë apo që marrin vetëm ndihmë ekonomike, e cila nuk u mjafton as për të blerë vetëm bukë. I marrin ushqimet e nevojshme pa lekë, deri kur marrin ndihmën ekonomike apo pagën, kur ndonjë prej pjesëtarëve të familjes u punon privat apo dhe në shtet.
Por ka dhe prej atyre që nuk kanë me çfarë të paguajnë dhe vlera e shumës së parave shkon deri në disa dhjetëra mijë lekë të rinj. "Janë familje që i njohim, pasi jetojnë afër dyqanit dhe i marrin ushqimet pa lekë, derisa marrin ndihmën ekonomike apo dhe pagesën e ndonjë pune që bëjnë. Blejnë kryesisht bukën, por dhe djathë, oriz, vaj, makarona etj. Pjesa më e madhe e tyre janë të papunë ose punojnë privatisht ku të gjejnë punë, më shumë si punëtorë ndërtimi, por dhe tek "Isa Boletini", ku dalin çdo ditë të papunët.
"Kur kanë punuar, edhe po qe se nuk e kanë marrë pagën për atë ditë, vijnë e marrin ushqime pa lekë, për t'i sjellë ato kur të marrin pagesën e punës së bërë", - tregon Tonin Kola, shitës në një dyqan ushqimesh në lagjen "Skënderbeg". "Nga rreth 100 klientë të përhershëm që blejnë ushqim në dyqanin tim, rreth 60 i marrin pa lekë, për t'i sjellë më pas. Shuma që më kanë borxh, në total shkon rreth 200 000 lekë. Janë kryesisht të papunë, por që vijnë e paguajnë borxhin sapo gjejnë paratë", - vazhdon ai.
Në verë, kur vijnë emigrantët, disa prej tyre i likuidojnë borxhet, pasi kanë të afërm e kushërinj në emigracion dhe kur këta vijnë për pushime, u japin paratë ose vijnë bashkë me ta dhe likuidojnë shumat e lekëve të ushqimeve të marra pa pagesë.
Kjo ndodh dhe në rast festash, ku ata që kanë mundësi ekonomike tregohen bujarë dhe ndihmojnë të afërm, kushërinj apo dhe të njohur të tyre, qofshin këta dhe komshinj, duke u likuiduar borxhin e ushqimeve me listë dhe duke u blerë të tilla për festë.
Një familje nuk merr më shumë se deri në 20 00 lekë të rinj ushqime pa pagesë", - tregon Fran Gjeka, shitës në lagjen "Mark Lula". Duke pyetur njësi të ndryshme tregtimi ushqimesh në Shkodër, vërehet se fenomeni është i përhapur në çdo lagje, por më së shumti në ato periferike ku vitet e fundit ka shtim popullsie nga zonat rurale. Një tregtar në lagjen "Tre Heronjtë", tregon se ka tre familje që blejnë bukën dhe ushqimet në dyqanin e tij dhe që bukën e marrin çdo ditë pa lekë, ushqimet sipas nevojës, ndërsa paratë i sjellin çdo një javë ose 10 ditë, kur shesin kanapet apo skrapin që grumbullojnë. "Kanë 5 vjet që jetojnë këtu, janë 6 pjesëtarë të familjes.
Kryefamiljari bashkë me dy djemtë mbledhin kanoçe, pasi ai është i sëmurë dhe nuk bën dot punë të rëndë. Kanoçet i dorëzojnë një herë në javë ose 10 ditë dhe sapo marrin paratë, likuidojnë borxhin", - tregon L. Tërbuni, shitës në lagjen "10 Korriku". Ndërsa një shitëse në lagjen "Ndocaj", D. Brahimi , tregon se tek dyqani i saj janë rreth 15 familje që marrin ushqime me listë. Marrin bukë, kos, djathë, vaj, oriz etj., ushqime të përditshme. Shuma e mallrave që marrin shkon nga 1 000 deri 5 000 lekë të rinj. Prej tyre janë familje me ndihmë ekonomike ose që punon vetëm një person. Ka prej tyre që marrin disa herë ushqim pa sjellë paratë, pasi nuk kanë gjetur punën që u kanë premtuar. Bëhet fjalë për punë private ditore. Kështu, p.sh., një grua që punon në një rrobaqepësi private, i sjell lekët kur merr rrogën, por kur ajo i vonohet, i duhet ta marrë ushqimin e nevojshëm për familjen e saj përsëri pa lekë".
Ka raste kur shumat shkojnë në vlera të mëdha dhe atëherë shitësit u drejtohen të afërmve të këtyre familjeve. "Nuk është se kemi frikë se nuk na i sjellin paratë, por dhe ne me këto para punojmë. Kur shuma kalon 10 000 lekë të rinj, nuk u jap dot ushqim pa i sjellë ose u themi të afërmve të tyre që ka raste që i likuidojnë shumat", - tregon një shitës në lagjen "Kiras".
Vetëm në qytetin e Shkodrës, në muajin e fundit trajtohen me ndihmë ekonomike 4 428 familje, nga 4 449 kërkesa të paraqitura, ndërsa zyrtarisht, shifra e punëkërkuesve të regjistruar pranë zyrës përkatëse, është rreth 20 000 vetë. Marrja e ushqimeve me listë është e pranishme dhe në fshatra të Shkodrës. Kështu, një shitës në Bërdicë pohon se ka rreth 70 familje që marrin ushqime me listë dhe paratë i sjellin kur shesin ndonjë prodhim të fushës apo ndonjë kafshë a shpend të tyrin. Në Gruemirë, një tregtar shprehet se gjatë fushatës elektorale, një kandidat për deputet ka likuiduar gjithë borxhet që familjet i kishin dyqanit, por kjo ndodh shumë rrallë. Kur vijnë emigrantët bëhen likuidimet më të shumta të parave të mallit të marrë borxh.
"Jo alkool atyre që na kanë borxh"
Ndërsa, në një dyqan në lagjen "Partizani", shitësja tregon sesi, duke i njohur klientët që marrin ushqim pa lekë, kryefamiljarëve që kërkojnë pije alkoolike, nuk ua japin. "Ushqime me lekë borxh u japim vetëm për nevoja të përditshme, si bukë, bulmet, ushqime etj. Ka që kërkojnë dhe karta celulari, cigare, etj., por alkool nuk u japim", - tregon