E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri akademik, Dhori Kule: “Universiteti i Tiranës do të presë 7 mijë studentë”

Më shumë kuota në dispozicion për Ekonomikun dhe më pak për Mjekësinë. Kuota e vlefshme për studimet ditën dhe me kohë të pjesshme

Jonida Tashi

Universiteti i Tiranës do të hap dyert vitin e ri akademik për 7 mijë studentë të rinj. Shifra konfirmohet zyrtarisht nga vetë rektori i këtij universiteti, Dhori Kule. Sipas kreut të UT-së, Fakulteti Ekonomik, do të ketë numrin më të lartë të pranimeve, ndërkohë që tek Mjekësia do të ketë kuotë më të ulët se një vit më parë.
Kuotat
Në total, vetëm për studimet me kohë të plotë, Universiteti i Tiranës, propozon që vitin e ardhshëm të pranohen afro 5200 studentë të rinj. Nga shpërndarja e kuotave sipas fakulteteve të UT-së, një numër i lartë kuotash pranimi, i është dhënë Fakultetit të Ekonomisë, plot 1230 të tilla. Po ashtu, një numër i lartë kuotash pranimi është propozuar edhe për Fakultetin e Histori-Filologjisë, Fakultetin e Drejtësisë dhe atë Shkencave të Natyrës. Ndërkohë që ndryshe nga një vit më parë, drejtuesit e UT-së, këtë vit, kanë vendosur uljen e kuotave të pranimit për Fakultetin e Mjekësisë, në të cilin vitin e ardhshëm akademik do të mund t’i vijojnë studimet 350 studentë të rinj. Përfshirë edhe kuotat për studimet me kohë të pjesshme, numri i studentëve që do të ulen në auditorët e UT-së, gjatë vitit akademik 2009-2010, shkon në 7 mijë. Shifër kjo, tepër e lartë, krahasuar me pranimet që janë bërë një vit më parë në këtë universitet, ku në auditorë u ulën vetëm 2600 studentë.
Deklarata
“Viti i ri akademik, 2009-2010, do të presë më shumë studentë, këtë vit, në auditorët e Universitetit të Tiranës. Do të jenë rreth 7 mijë, të rinj që do të ulen në muajin tetor. Një pranim më të madh studentësh. Motivi është që nga pikëpamja e resurseve humane ne kemi të kompletuar numerikisht stafin pedagogjik me shtesat që erdhën pranë Universitetit të Tiranës dhe rekrutimet që bëri gjatë vitit ekzistues akademik”,- bën të ditur Dhori Kule. Shtimin e kuotave të pranimit, për vitin e ri akademik, rektori i UT-së e argumenton me faktin se ndryshe nga vitet e tjera, meqenëse numri i pedagogëve është rritur, edhe propozimi që ata kanë bërë, pranë Këshillit të Ministrave, ka qenë për një numër më të lartë studentësh.
Ambientet
Ndërsa përsa i përket ambienteve, Kule thotë se këtë vit, janë siguruar ambiente të reja, ndërkohë që në shtator ai jep dhe lajmin se pritet fillimi i ndërtimit të kampusit universitar. “Kemi në dispozicion një ambient shtesë që i ka kaluar Universitetit të Tiranës që është ish-kinoklubi i qytetit Studenti, i cili do të rikonstruktohet e do të bëhet gati për mësimdhënie në vitin e ri akademik. Besoj këtë vit, duhet të fillojë pas shtatorit, tetorit, pasi të ketë përfunduar projekti i detajuar, shpresoj të fillojë kampusi”, - deklaron Kule. Tashmë propozimet e UT-së për pranimet e reja, i kanë kaluar Ministrisë së Arsimit, për të marrë më pas miratimin e Këshillit të Ministrave.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›