E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, koeficientet e gjimnazeve për universitetet e Tiranës

Botohen koeficientet e shkollave për Universitetin e Tiranës, Politeknikun dhe Bujqësorin. Universitetet vendosin pesë koeficiente për vlerësimin e shkollave të mesme

Jonida Tashi

Zbardhen koeficientet e gjimnazeve me të cilat universitetet kanë bërë vlerësimin e tyre, për pranimet në shkollat e larta. Për pranimet në universitete, Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion dy lloje koeficientesh që janë: pesë koeficientet e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientet e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë. Gazeta “Albania” boton sot koeficientet e shkollave të mesme për Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik si dhe atë Bujqësor.
Koeficientet
Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion pesë koeficiente nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilat vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për 2 e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe dy notat për provimet e lëndëve të detyruara Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht për llojin e shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Gjithashtu, çdo degë e shkollës së lartë shpall parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të dy koeficienteve të tjera me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këto koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga dy notat e lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientet e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit.
Profili
Sipas specialistëve të arsimit, profili i shkollës së mesme, që vazhdon maturanti duhet të merret parasysh në përcaktimin e degëve edhe në formularin A2. Kjo do të thotë se një maturant që vazhdon shkollën e mesme në një gjimnaz me profil shoqëror, për të fituar sa më shumë pikë për në universitet duhet të zgjedh ato degë që kanë drejtim shoqëror. Ndërsa maturantët që ndjekin shkollën në një gjimnaz me profil natyror, duhet të zgjedhin si degë ato që kanë drejtim natyror. Pas përfundimit të katër provimeve të Maturës, secili maturant mund të llogarisë përafërsisht se sa pikë mund të fitojë, duke njohur vlerësimet e veta. Specialistët kanë përcaktuar edhe formulën e llogaritjes së pikëve për të fituar të drejtën e studimit. Formula llogaritëse e pikëve, është: [(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2], ku: NM - nota mesatare e shkollës së mesme, D1 - nota e marrë në provimin e parë të detyruar, D2 - nota e marrë në provimin e dytë të detyruar, Ksh – është koeficienti i shkollës, K1 – koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 – koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje.

* Koeficientet i gjeni te botuar ne gazeten "Albania", date 9 qershor 2009

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›