E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 28 qershorit, studentët tri ditë pushime për të votuar



Studentët e Universitetit të Tiranës në datat 27, 28, 29 qershor, nuk do të kenë provime. Ky është vendimi më i fundit, i marrë nga Senati i Universitetit të Tiranës, i cili ka vendosur se në tri datat e mësipërme, nuk do të zhvillohen provime, në fakultetet e këtij universiteti. Vendimi është marrë si pasojë e zgjedhjeve që do të zhvillohen në 28 qershor në mbarë vendin. Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, njëkohësisht dhe senator i UT-së, Shezai Rrokaj, lidhur me vendimin e pezullimit të provimeve për zgjedhjet shprehet: “Të gjithë ata studentë që nuk kanë pasaporta duhet të kenë karta identiteti, dhe kjo gjë është bërë. Përsa i përket votimit, mesa dimë ky do të bëhet në qendrat e banimit, aty ku figurojnë të regjistruar të gjithë studentët, pra në familjet e tyre dhe për pasojë ne i kemi marr masat që gjatë periudhës së provimeve ku përfshihet kjo datë, një apo dy ditë para, apo pas kësaj date të mos përcaktojmë data provimi. Ndërkohë që, sipas burimeve zyrtare nga rektorati i Universitetit të Tiranës, ka përfunduar dhe pajisja e studentëve pa pasaportë me letërnjoftime elektronike. Po sipas këtyre burimeve, numri i studentëve, që nuk kanë pasur pasaportë ka qenë rreth 3700. Vendimi i UT-së pritet të merret në ditën në vijim edhe nga universitetet e tjera të vendit, drejtuesit e të cilëve duhet të vendosin datat e provimeve të sezonit, të cilat duhet të jenë para ose pas zgjedhjeve.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›