E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, “digjet“ rimbursimi për pensionistët që nuk aplikojnë brenda datës 20 qershor



Pensionistët që nuk do të aplikojnë për kartë identiteti brenda datës 20 qershor, nuk do ta përfitojnë rimbursimin e akorduar nga qeveria. Sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave pak kohë më parë, pagesa e kompensimit do të jetë e vlefshme për aplikimet e kryera deri në datën 20 qershor 2009, apo për letërnjoftimet deri në 28 qershor 2009. Për aplikimet e bëra pas datës 20 qershor 2009, kompensimi është i pavlefshëm dhe çdo pagesë e marrë për këtë qëllim është e paligjshme. Për të bërë të mundur pajisjen e të gjithë pensionistëve pa pasaportë me kuponin e pajisjes me kartë identiteti që nga 1 maji 2009, si dhe rimbursimin e të gjithë atyre që kanë aplikuar përpara kësaj date për letërnjoftimin, ISSH-ja dhe Posta Shqiptare, bazuar në vendimin 336 të Këshillit të Ministrave, datë 15/04/2009, kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët.
Sipas marrëveshjes, pensionistët që nuk kanë aplikuar ende do të pajisen me kuponin e kartës së identitetit ditën e marrjes së pensionit. Ndërkohë, personat që e kanë kryer aplikimin apo e kanë marrë letërnjoftimin do të marrin kompensimin, në masën e njohur në muajin pasardhës, pasi të kenë dorëzuar në zyrat e tërheqjes së pagesës mujore të pensionit kopjen e formularit të aplikimit ose kopjen e letërnjoftimit të marrë. Pensionistët që janë pa pasaportë dhe pensionistët e fshatit, do të rimbursohen me 1000 lekë, ndërsa ata që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal, do të rimbursohen me 400 lekë. Shuma prej 200 lekësh, do t’u mbahet pensionistëve në momentin e tërheqjes së pensionit. Afrimi i ditës së mbarimit të afatit për aplikimin për kartë si dhe penalizimet e vendosura nga qeveria për pensionistët që nuk aplikojnë ka bërë që ditët e fundit pensionistët të dynden në zyrat postare për prerjen e kuponit.

Skema e kompensimit
1000 lekë do të rimbursohen pensionistët që janë pa pasaportë dhe pensionistët e fshatit që përfitojnë pension minimal
400 lekë do të rimbursohen pensionistët që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal
200 lekëshi, do t’u mbahet pensionistëve në momentin e tërheqjes së pensionit
20 qershor është afati i fundit për të përfituar nga pagesa e kompensimit

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›