Ministria e Shëndetësisë: 700 raste me TBC çdo vit
Në ditën ndërkombëtare kundër tuberkulozit, statistikat shqiptare flasin për një numër të konsiderueshëm të sëmurësh, por që gjithsesi jo shqetësues. Sipas të dhënave statistikore, të bëra publike nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se në vendin tonë paraqiten rreth 700 raste të reja me TBC në vit, ose 20 raste të reja për 100 mijë banorë. Institucioni kryesor i hartimit të politikave shëndetësore në vendin tonë, pas këtyre të dhënave pohon se, "me një tregues të tillë vendi ynë renditet në grupin e dytë të vendeve evropiane, me nivele relativisht të mira shëndetësore". Por, gjithsesi, rreziku mbetet prezent e sidomos kur llogariten faktorët e riskut, që ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin e rasteve të kësaj sëmundjeje. Kështu, duke ju referuar mendimit të specialistëve, vihen re një seri faktorësh që aktualisht mund ta përkeqësojnë këtë sëmundje. Këtu përmenden, lëvizjet e pakontrolluara të popullatës brenda dhe jashtë vendit, si dhe urbanizimi i shpejtë dhe i pakontrolluar i zonave të veçanta. Për kontrollin e kësaj sëmundjeje, për pesë vitet e ardhshme, Fondi Global Kundër AIDS-it, Tuberkulozit dhe Malarjes, ka miratuar projektin për Shqipërinë, me një vlerë prej 1.4 milionë dollarësh.
Ky projekt, sqarojnë autoritetet shëndetësore, së bashku me kontributin e vazhdueshëm që do të ketë Ministria e Shëndetësisë, do të kontrollojë sëmundjen e tuberkulozit në vendin tonë, sidomos në zonat problematike verilindore. E pikërisht aty ku integrimi i luftës kundër tuberkulozit në sistemin parësor dhe vendosja e mjekut të familjes në një pozicion kyç, do të ndihmojë më tej kontrollin ndaj kësaj sëmundjeje. Tuberkulozi është sëmundje infective, e shkaktuar nga një mikrob, që dëmton organizmin e njeriut dhe kryesisht mushkëritë. Rruga kryesore e transmetimit të TBC është nëpërmjet kollës apo teshtitjes.SSSASS