Shqiptarët, lutje për paqe. Papa uron në gjuhën shqipe
Kremtimi i Pashkëve nga besimtarët katolikë shqiptarë ka nisur që në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës për t‘u përplotësuar me meshën e së dielës. Në kryeqytet, besimtarët katolikë i janë drejtuar që në orët e para të së dielës Katedrales së Shën Palit, në ditën që simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe ngadhënjimin mbi vdekjen. Monsinjor Rrok Mirdita në meshën e mbajtur në këtë ditë të shënuar të ringjalljes së Krishtit nuk ka munguar që ta aktualizojë këtë simbolikë me ngjarjen e fundit tragjike të ndodhur në Gërdec të Vorës. Ai ka përshëndetur mbështetjen që u kanë ofruar deri tani njerëzve të kësaj fatkeqësie. Monsinjor Rrok Mirdita, u është drejtuar besimtarëve katolikë për të vazhduar solidaritetin me tragjedinë e Gërdecit, për t‘iu lehtësuar dhimbjen dhe për t‘u bashkuar me dhimbjen e qindra të lënduarve të kësaj fatkeqësie.
Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, këndoi gjatë meshës liturgjinë e dritës; bekimin e zjarrit, bekimi dhe ndezja e qiriut të Pashkëve, procesioni, dhe më pas lajmi i gëzueshëm. Mesha vazhdoi me lexime të liturgjisë së fjalës, me letrën e Apostollit, Aleluja, Shërbesa e Pagëzimit, ndërsa kori i kishës interpretoi nga Mesia e Haendel, si dhe këngë të tjera kishtare. Nën ndezjen e qirinjve u krye spërkatja me ujin e bekuar, e cila sipas liturgjisë fetare, bën shëlbimin e njerëzve besimtarë. Ngjallja e Krishtit për besimtarët shpreh jo vetëm ringjalljen e Tij, por dhe dhurimin e lirisë për të gjithë besimtarët shqiptarë, të cilët vite më parë nuk mund të kremtonin "fitoren" e Krishtit në kryq. Në ceremonialin e përvitshëm të së Dielës së Pashkës, besimtarët katolikë nuk mungojnë të kryejnë vizita te njëri-tjetri për më shumë mirësi. Simbol i kësaj dite janë edhe vezët me ngjyra nga më të ndryshmet, por që dominante mbetet e kuqja. Po kështu, pjesë e festës kanë qenë edhe ëmbëlsirat tradicionale. Përshëndetje në këtë ditë feste për besimtarët katolikë ka dërguar edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në një mesazh urimi drejtuar Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditës, me rastin e Festës së Pashkëve, kreu i shtetit ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me rastin e Festës së Pashkëve. Presidenti Topi shprehu njëkohësisht urimin që "Pashkët dhe shpresa e ringjalljes, që vjen prej tyre të sjellin më shumë fat dhe prosperitet për popullin shqiptar, popullin e Nënë Terezës". Ai ka vijuar më tej duke theksuar se "në festën e ringjalljes nuk mund të mos jem pranë çdo besimtari, pranë çdo familje që feston me gëzim. Kjo festë na sjell ndërmend se pas çdo sakrifice ka edhe një shpresë. Kjo është shpresa që Krishti dhe krishterimi i solli njerëzimit". Përveç Presidentit Topi, besimtarët katolikë kanë marrë urime edhe nga Kryeministri Sali Berisha. "Dua t‘u shpreh të gjithë besimtarëve katolikë, besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë urimet më të përzemërta në këtë ditë ringjalljeje, shprese dhe besimi të pashtershëm te Zoti, vlerat dhe e ardhmja", u shpreh Kryeministri Berisha në Festën e Pashkës.
Papa-shqiptarëve: Për shumë vjet Pashkët
Në sheshin "Shën Pjetër", nën shi, Papa Benedikti XVI ka celebruar meshën e Pashkëve dhe ka dhënë mesazhin e tij tradicional. Papa ka përshëndetur urimin e Pashkëve në 63 gjuhë të botës, ku mes tyre ai ka folur edhe shqip. "Për shumë vjet Pashkët", ka uruar Papa Benedikti XVI të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ati i Shenjtë ka lëshuar një apel për paqen në botë duke u ndalur në mënyrë të veçantë te konfliktet që trazojnë aktualisht opinionin ndërkombëtar, përfshirë atë të Tibetit. Ishte ky i pari rast që Papa Benedikti flet për Tibetin, pasi heshtja e Vatikanit në ditët e para të dhunës atje kishte ngjallur kritika të forta. Papa Benedikti përmendi edhe Darfurin, Somalinë, Tokën e Shenjtë, Irakun, Libanin etj. Ai tha se shpresonte që pikërisht në këto vende moderimi dhe zemërmadhësia do të dominonte.
Ndërkohë, në vigjiljen e Pashkëve, Papa pagëzoi një gazetar italian, i lindur mysliman. Konvertimi i gazetarit, një kritik i zëshëm i radikalizmit ekstrem dhe i vendosur nën mbrojtjen e policisë, u bë publik vetëm pak orë para ceremonisë.
SSSASS