Miratohet rregullore e re për Policinë e Burgjeve
Laureta Rryçi
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, fajësoi dje gjyqtarët për shtyrjen e seancave. Akuzat nga numri dy i KLD-së u bënë gjatë një takimi me të gjithë kryetarët e gjykatave në lidhje me problematikën dhe reformimin në Gjyqësor.
“Bandat kriminale nuk mund të diktojnë proceset penale”. Kjo ka qenë deklarata e ashpër e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu gjatë konferencës me krerët e Gjykatave të Shkallës së Parë në rrethe dhe ato të Apelit në vend. Spahiu deklaroi se një drejtësi e vonuar, nuk është gjë tjetër veçse një drejtësi e munguar. Gjatë takimit të djeshëm media u lejua vetëm për pak çaste të ishte prezent më tej takimi vijoi me dyer të mbyllura. Burime pranë këtij Këshilli sqaruan se Spahiu i ka vënë në dijeni kryetarët e gjykatave me relacionin që u përpilua nga specialistët që inspektuan disa gjykata të vendit. Një tjetër çështje e rëndësishme ka qenë dhe riorganizimi i gjykatave që është e detyrueshme të bëhet për shkak të dekretit të fundit të Presidentit Bamir Topi. Ky dekret ka përcaktuar numrin e gjyqtarëve për secilën gjykatë, kështu, në disa gjykata duhet të ulet numri i gjyqtarëve dhe në disa të tjera të rritet ky numër. Burime nga Këshilli, shpjeguan se dy gjykatat ky numri i gjyqtarëve do të rritet dhe përzgjedhja do të kalojë në një filtër më të madhe janë Gjykata e Tiranës dhe ajo e Durrësit.
Deklarata
Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i KLD-së, theksoi se përgjegjësia për këtë çështje bie mbi gjyqtarët, por, nuk mohoi dhe faktin se shpeshherë shkak për këtë fenonem në proceset Gjyqësore janë bërë edhe procedurat ligjore. “Ka ardhur koha që të zbatohet ky parim. Nëse një çështje zgjat 10 vjet, ajo nuk ka vlerë. Ndërsa një çështje e shpejtuar bën që të vlerësohet më mirë puna e policisë Gjyqësore dhe gjykatave në tërësi”, tha ndër të tjera Spahiu. Pikërisht për këtë arsye Spahiu kërkoi ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke kërkuar publikisht bashkëpunimin mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë. Burime pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë pohuan se mbledhja e djeshme kishte si çështje kryesore për diskutim riorganizimin e sistemit Gjyqësor gjë që nënkupton lëvizje të dhjetëra gjyqtarëve
Takimi
Spahiu nuk është mjaftuar me deklaratën e tij duke kërkuar propozime konkrete ndaj kryetarëve të gjykatave. Gjatë takimit të djeshëm u vunë në dukje problematika që ndeshin ende proceset Gjyqësore. “Jemi informuar për problematikat që kanë ngritur gjyqtarët, si ajo e mungesës së të pandehurve në proces për shembull, por ne, duhet të kemi aftësinë që të dalim me propozime konkrete për amendime të ndryshme”, u shpreh numri dy i KLD-së lidhur me këtë problem. Burime treguan se diskutimi apelues dhe kritik i tij ka pasur si pika kryesore të tij edhe atë të problematikës së kriminalitetit të shtuar në vend, i cili shoqërohet në këtë mënyrë edhe me rritjen e përgjegjësisë dhe punës së gjyqtarëve, por edhe atë të rëndësisë së raportimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Dekreti i presidentit përcaktoi:
1. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, 11 gjyqtarë
2. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, 5 gjyqtarë
3. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, 24 gjyqtarë
4. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, 17 gjyqtarë
5. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, 16 gjyqtarë
6. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, 13 gjyqtarë
7. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, 7 gjyqtarë
8. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, 21 gjyqtarë
9. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, 7 gjyqtarë
10. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, 6 gjyqtarë
11. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, 6 gjyqtarë
12. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, 9 gjyqtarë
13. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, 10 gjyqtarë
14. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, 4 gjyqtarë
15. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet, 4 gjyqtarë
16. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, 8 gjyqtarë
17. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, 4 gjyqtarë
18. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë, 9 gjyqtarë
19. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, 19 gjyqtarë
20. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, 61 gjyqtarë
21. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, 4 gjyqtarë
22. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, 18 gjyqtarë
23. Në Gjykatën e shkallës së parë për Krime të Rënda Tiranë, 16 gjyqtarë
Anëtarët e Këshillin vendosin të ngrihet një grup pune
Në mbledhjen e fundit që u zhvillua vetëm pak ditë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë diskutoi mbi nevojat e një inspektimi të posaçëm të gjyqtarëve për të kontrolluar rregullsinë e procesit ligjor në ato çështje Gjyqësore penale ku akuza lidhet me vepra penale me kriminalitet të lartë, referuar në raste që kanë sensibilizuar edhe opinionin publik. Burime pranë Këshillit shpjeguan dje se rëndësia e një inspektimi të mundshëm u diskutua në prizmin e bashkëpunimit midis Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë, referuar veçanërisht disa proceseve penale, kohëzgjatja e të cilave rrezikon afatet e paraburgimit, si dhe trajtimit të diferencuar të rasteve analoge nga gjykatat.
Kjo iniciativë vjen në një kohë kur Këshilli prezantoi dhe konkludoi edhe dy raporte përfundimtare të inspektimit tematik të kryer si ndaj disa kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, ashtu dhe ndaj gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit; për këto të fundit, mbi çështje të solemnitetit në gjykim, etikën dhe disiplinën në punë. Për të dyja këto çështje, Këshilli doli me rekomandimet përkatëse, të cilat pritet të bëhen publike gjatë ditëve në vazhdim.
7 Tetor 2009