VENDIMI i AKEP-it, celularët, në janar nis zbatimin praktika e portabilitetit të numrave
Nëse ke një numër telefoni të kompanisë “06X” dhe dëshiron të pajtohesh te kompania “06Y”, atëherë nuk është më nevoja të ndërrosh kartën SIM, por të gjitha kompanitë celulare, që prej janarit 2010 do të nisin të ofrojnë këtë shërbim (ndërrimin e kompanisë duke mbajtur të njëjtën kartë), së bashku me udhëzimet e detajuara mbi mënyrën se si do të funksionojë. Ka qenë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP-i), institucioni që ka shpallur së fundi të gjitha specifikimet teknike dhe rregullat apo limitet tarifore që do të lidhen me këtë shërbim. Sipas AKEP-it, ndërtimi dhe zbatimi i strategjisë së portabilitetit të numrave do të jetë një nga zgjidhjet më të domosdoshme dhe më efikase në këtë treg. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të arrijë një nga standardet që vendet perëndimore e kanë arritur shumë kohë më parë, që nënkupton se kartat SIM do të konsiderohen si “pronë publike”, ndërsa kompanitë celulare do të ofrojnë thjesht shërbimin dhe do të konkurrojnë vetëm nëpërmjet tarifave.
Lehtësitë
Zbatimi i parimit të portabilitetit të numrave celularë në vendet ku është praktikuar ka dhënë efekte në rritjen e konkurrencës mes kompanive celulare. Tanimë ky parim konsiderohet si jetik për harmoninë e tregut të telefonisë së lëvizshme. Shërbimi i ndërrimit të kompanisë do të jetë kundrejt një pagese jo shumë të lartë, e cila do të jetë standarde dhe do të shpallet paraprakisht nga kompanitë duke e njoftuar klientin nëse aplikon për ndërrimin e këtij shërbimi. Arbitër i këtij procesi do të jetë AKEP-i, ndërsa kompanitë tashmë do të duhet të investojnë në teknologji shtesë për të siguruar aparaturat e posaçme që e mundësojnë këtë shërbim. Megjithatë, për kompanitë celulare do të ketë dy mundësi për ofrimin e këtij shërbimi, ku sipas rastit kompanitë do të zgjedhin njërën prej tyre me doemos.
Kompanitë
Në sektorin e telefonisë celulare janë lëshuar katër autorizime individuale që më parë quheshin licenca: “AMC, sh.a”, “Vodafone Albania, sh.a”, “Eagle Mobile, sh.a”, “Mobile 4 Al sh.a”. Operatori “Mobile 4 Al” është operatori i katërt celular GSM, të cilit i akordua autorizimi individual nga AKEP-ja më datë 26.06.2009. Operatori “AMC” është licencuar si operator publik kombëtar i telefonisë celulare në vitin 1996 dhe ka funksionuar si kompani shtetërore deri në shtator të vitit 2000, kur u krye privatizimi i 85 për qind të aksioneve, pjesë e cila u ble nga “Cosmote Group”, operatori celular në Greqi, që është vetë pjesë e grupit OTE, operatorit të telefonisë fikse në Greqi. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës zotëroi rreth 12.6 për qind të aksioneve të “AMC, sh.a”, deri në vitin 2008, kur u krye dhe shitja e kësaj pjese “Cosmote Group”. Afërsisht 2.4 për qind të aksioneve zotërohen nga aksionerë të vegjël (punonjës të “AMC-së” në kohën e privatizimit). Operatori “Vodafone Albania” është licencuar si operatori i dytë kombëtar i shërbimit celular “GSM” në Shqipëri më 9 qershor 2001. “Vodafone International Holding” zotëron 51 për qind të kapitalit të “Vodafone Albania”, ndërsa “Vodafone Panafon International Holdings” zotëron 49 për qind të aksioneve. Kjo e fundit zotërohet në mënyrë direkte dhe indirekte në 99,4 për qind nga “Vodafone Group”. Më 3 gusht 2001 “Vodafone Albania” filloi ofrimin e shërbimeve të saj GSM në Shqipëri. Operatori “Eagle Mobile” është licencuar si operatori i tretë kombëtar i shërbimit celular “GSM” në Shqipëri më 1 mars 2004. Licenca i është dhënë Albtelekomit si pjesë e paketës së privatizimit të kësaj kompanie, proces që përfundoi në vitin 2007. Operatori “Eagle Mobile” filloi ofrimin e shërbimeve celulare në mars 2008.
Raporti: Shqipëria ka intensitet të lartë të përdoruesve të celularëve
Zhvillimi i telefonisë celulare në vendin tonë po ecën me hapa shumë të shpejtë, paralel me zhvillimet e vrullshme të kësaj teknologjie të përparuar. Këtë e tregojnë edhe shifrat më të fundit të raportit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që merret me monitorimin e këtij tregu në vend, nga ku shihet një rritje shumë e lartë e përdoruesve të telefonisë celulare. Sipas të dhënave, në fund të vitit 2008 numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme arriti në 2 964 473 përdorues, e cila përbën një rritje të ndjeshme me 27.6 për qind apo 642 mijë përdorues më shumë krahasuar me fundvitin 2007. Rritjen e ndjeshme të përdoruesve të kësaj telefonie raporti ia dedikon edhe futjes në treg të operatorit më të ri “Eagle Mobile”, që hyri në treg në mars 2008, duke rritur numrin e përdoruesve me afërsisht 260 mijë përdorues në fund të vitit 2008. Megjithatë, rritje në krahasim me vitin 2007 kanë pasur edhe dy operatorët e tjerë të telefonisë së lëvizshme kompanisë “AMC” dhe “Vodafone”, që respektivisht kanë një rritje në numrin e përdoruesve me 16.8 për qind dhe 16.3 për qind, apo me 200 mijë dhe 183 mijë përdorues. Sipas specialistëve të këtij autoriteti, në momentin kohor të hyrjes në treg të “Eagle Mobile”, tregu celular kishte arritur në afërsisht 2.3 milionë përdorues, apo mbi 70 për qind penetrim.
Procedura, si do të kryhet portabiliteti i numrave.
1. Kërkuesi i bartjes të numrit duhet të ketë një marrëveshje të vlefshme me operatorin prej të cilit kërkon të bartë (operatorin dhënës) për dhënien e shërbimeve të telekomunikacionit telefonik me anë të numrave të parashikuar nga kjo kërkesë.
2. Kërkuesi i bartjes nuk duhet të ketë kërkesa të tjera në progres për bartjen e numrit.
3. Operatori që do të ofrojë shërbimin telefonik mbasi numri është bartur (operatori marrës) duhet të iniciojë procesin për të njoftuar operatorin dhënës. Operatori dhënës është përgjegjës për të ndërmarrë të gjithë hapat për të mbyllur marrëdhënien kontraktuale ndërmjet kërkuesit dhe operatorit dhënës për numrin/numrat për të cilët është kërkuar bartja. Operatori marrës duhet të jetë përgjegjës përballë kërkuesit në lidhje me plotësimin e bartjes.
4. Kontrata me operatorin dhënës duhet të përfundojë në datën kur bartja është kryer me sukses.
5. Kontrata ndërmjet kërkuesit dhe operatorit dhënës duhet të mbarohet nën termat e dhënë në kontratën respektive. Bartja e numrit/numrave nuk duhet të sjellë paragjykim tek obligimet e nënshkruesit dhe të operatorit dhënës të paraqitura në kontratën që mbyllet, të lindura dhe të pambaruara para terminimit. Në rast të shërbimeve telefonike të dhëna ndërmjet kartave parapaguese, kërkuesi nuk duhet të jetë në gjendje të marrë kreditin e disponueshëm në datën e bartjes.
6. Mbas bartjes, kërkuesi duhet të mbajë numrin, kur shërbimi duhet të jepet
nga (emri i operatorit marrës) në bazë të një kontrate për dhënien e shërbimeve telefonike të mbyllur ndërmjet operatorit marrës dhe kërkues.
7 Tetor 2009