E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Strategjia” e kultivimit të ullirit, vendi eksportoi vetëm 4 ton në vitin 2008



Zhurma e madhe për kultivimin dhe mbjelljen e 20 milion rrënjëve ulli në të gjithë vendin, bërë kohët e fundit nga qeveria “Berisha 1”, përveç pamundësisë së realizimit ka pasur dhe të tjera të papritura të hidhura. Regres të thellë ka shënuar sidomos eksporti i vajit të ullirit jashtë vendit, ku gjatë vitit 2008 u eksportuan vetëm 4 ton vaj. Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, të paraqitur këtë vit në Bruksel, prodhimi i vajit të ullirit vitin e kaluar ishte në shkallë vendi 5.634 ton, ose 34% më shumë se në vitin 2007. Por, krahas kësaj, është shënuar një ulje e eksportit të vajit të ullirit, nga 26 ton në vitin 2007, në vetëm 4 ton gjatë 2008-ës, ndërkohë që u konstatua një rritje e importit, nga 719 ton në vitin 2007, në 1.075 ton në vitin 2008. Peshën më të madhe të eksportit të vajit e zuri Kosova, ku shkuan 3 ton vaj ulliri, nga 4 gjithsej. Kjo situatë, pak a shumë është në shumicën e produkteve të bujqësisë e blegtorisë shqiptare. Shkëmbimet tregtare të produkteve bujqësore të përpunuara me vendet e BE-së për vitin 2008 rezultojnë me rritje të importeve dhe ulje të eksporteve, me një volum tregtar 145 milionë euro në vitin 2008, nga 112 milionë të një viti më parë, përkatësisht 569 mijë euro eksport dhe 144 milionë euro import, kundrejt 649 mijë euro eksport dhe 111 milionë euro import në vitin 2007. Lidhur me këtë situatë të vështirë, ministri aktual i Bujqësisë, Genc Ruli, është treguar i kujdesshëm në hartimin e një strategjie sidomos për zhvillimin e kulturës së ullirit. Në një takim konsultativ me biznesin dhe zyrën e USAID Ruli tha se pavarësisht faktit që klima favorizon kultivimin e ullirit, sipas tij tradita është e pamjaftueshme dhe kultivimi i ullirit është bërë në mënyrë spontane. Sipas Rulit, “Shqipëria ka aktualisht rreth 1.5 rrënjë ullinj për frymë të popullsisë dhe një konsum të vajit të ullirit rreth 3 litra për frymë që krahasuar me vendet e tjera të së njëjtës strukturë jemi ende shumë larg”. Ministri i Bujqësisë i ka kërkuar strukturave përkatëse të vlerësojnë në të gjithë vendin gjendjen e ullishtave ekzistuese, mundësinë e hapjes së ullishtave të reja, përcaktimin e teknologjive që duhen përdorur dhe hartimin e një skeme për subvencionimin e kultivuesve të ullirit.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›