E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë premton më shumë aparatura për spitalet

/>Këtë vit ndryshe nga një vit më parë Ministria e Shëndetësisë do t'i kushtojë më shumë vëmendje investimit në pajisjen e spitaleve dhe të çdo strukture tjetër shëndetësore me aparatura mjekësore. Investimet e parashikuara do të vazhdojnë në të gjitha zërat, të gjitha shërbimet e shëndetit publik në vend, shërbimet e shëndetit mendor, por dhe institucionet kombëtare si Qendra e Sigurisë, Cilësisë dhe Akreditimit, Qendra Kombëtare e Barnave, Qendra e Edukimit në Vazhdim, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Gjakut, etj. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, bëjnë të ditur se investimi kryesor është pajisja me aparatura mjekësore i spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, në shumën 1 miliard lekë. Ky spital, faza e parë e të cilit pritet të përfundojë në pranverë të këtij viti, ka 7 salla të reja operacioni, me shërbimin e reanimacionit, me laborator të urgjencës, traumatologjisë, etj. Përsa i takon shërbimit spitalor parashikohen blerje pajisjesh mjekësore për spitalet e Vlorës, Tropojës, Lushnjës, me vlerën 50 milionë lekë, si dhe blerje pajisjesh hotelerie për QSUT-në, maternitetet, spitalet e Vlorës, Shkodrës, Korçës në vlerën 100 milion lekë. Ndërhyrje synohen të realizohen dhe në infrastrukturën e spitaleve Elbasan, në vlerën e 1.4 milion eurove, në Fier, Lushnje, Tropojë, Kukës, Sarandë me vlerë 688 milion lekë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë këtë vit, parashikohet të përfundojnë dhe ndërhyrjet e filluara gjatë 2008 në spitalin e Pediatrisë dhe Neurokirurgjisë në QSUT, si dhe të sanatoriumit në Tiranë. Gjithashtu, do të ndërhyhet për fuqizimin e shërbimeve të shëndetit mendor, në shumën 125 milion lekë, vlerë e cila do të shkojë për ndërtimin e pavijoneve të reja akute për spitalet Vlorë dhe Shkodër, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e qendrave komunitare të shëndetit mendor dhe për furnizimin me pajisje mjekësore të këtyre shërbimeve". Edhe shërbimi parësor shëndetësor dhe shëndeti publik pritet të pësojnë përmirësime, pasi gjatë këtij viti parashikohet blerja e pajisjeve për laboratorët e shëndetit publik në rrethe, unite dentare, aparatura grafi, skopi dhe eko me vlerën 138 milion lekë, blerje pajisje mobilimi për qendrat shëndetësore dhe ambulanca të ndërtuara në vitet 2006-2008, në vlerën 50 milionë lekë. Për të përmirësuar kushtet spitalore në të gjithë vendin do të bëhen ndërhyrjet në infrastrukturën e shëndetit parësor dhe shëndetit publik, të cilat parashikohen të kapin vlerën 150 milion lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›