Shkarkohet kryeprokurori i Durrësit
TIRANE/DURRES
Kryeprokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, u largua dje nga detyra vetëm dhjetë muaj pasi u dekretua nga Presidenti Topi në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së qytetit bregdetar. Rrethanat e largimit të Ndojës mbeten të paqarta, pasi pothuaj në të njëjtën kohë kur ai deklaroi dorëheqjen, Prokuroria e Përgjithshme tha se kryeprokurorja Ina Rama e kishte pezulluar Ndojën, duke e ulur në detyrën e prokurorit të thjeshtë. Në një konferencë shtypi të organizuar rreth mesditës, Arjan Ndoja deklaroi nga zyra e tij në Prokurorinë e Durrësit se ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Siç tha ai, shkak për dorëheqjen është bërë fillimi i hetimeve ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës për problemet e gjetura në deklaratat e tij të pasurisë. Arjan Ndoja tha se dorëheqja e tij nga detyra vjen pas "regjistrimit të çështjes penale ndaj tij në Prokurorinë e rrethit gjyqësor të Tiranës pas kallëzimit që ka bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive". Duke u rezervuar të shprehet më vonë lidhur me çështjen penale të hapur ndaj tij, kryeprokurori i Durrësit në largim e cilësoi hetimin që ka filluar ndaj tij si të pabazuar në ligj, duke shtuar se "është absurde të mendosh se një jurist nuk di të plotësojë formularin e deklarimit të pasurisë". Në fakt, Inspektorati i Pasurive, por edhe Prokuroria e Tiranës deklarojnë se në formularët e dorëzuar nga Arjan Ndoja, një shumë prej 82 mijë euro mbetet e pajustifikuar, duke mos u bërë i ditur burimi i saj. Gjatë paraqitjes së tij para mediave, Arjan Ndoja tha se dorëheqja është një veprim qytetar, i cili nuk vjen për shkak se deklarimi i tij i pasurisë ka probleme. Më pas kreu në largim i Prokurorisë së Durrësit është shprehur i gatshëm të përballet me drejtësinë, cilido qoftë vendimi i saj. "Qëndrimi im lidhur me kallëzimin e bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive do të bëhet i ditur pas marrjes së një vendimi nga Prokuroria e rrethit Gjyqësor të Tiranës, e cila po heton çështjen", tha Arjan Ndoja. Sipas Prokurorisë së Tiranës që filloi hetimet ndaj tij, por edhe sipas kallëzimit penal të Inspektoratit, në formularin e deklarimit të pasurisë drejtuesi i Prokurorisë së Durrësit, Arjan Ndoja, ka deklaruar se disponon në formë prone dhe gjendje llogarish bankare një pasuri rreth 743 mijë euro në total. Nga formularët e deklarimit rezulton se kjo pasuri është vendosur gjatë kohës që Ndoja ka qenë avokat në Tiranë dhe Durrës, por mbeten të pajustifikuara 82 mijë euro. Në konferencën e djeshme për shtyp, kryeprokurori i Durrësit në largim nuk pranoi asnjë pyetje nga gazetarët. Arjan Ndoja erdhi në krye të Prokurorisë së Durrësit më 30 janar 2008 dhe dorëheqja e tij e djeshme ishte konferenca e dytë e shtypit me gazetarët që kur mori detyrën. Ndryshe nga paraardhësi i tij Nasip Naçi, kryeprokurori në largim Arjan Ndoja nuk ka bërë të ditur për mediat analizat e punës së institucionit të drejtuar prej tij për rreth dhjetë muaj. o.u
Rama: Pezullova Ndojën që të bëhen hetime
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi dje se drejtuesja e këtij institucioni, Ina Rama, ka pezulluar nga detyra kryeprokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja, pas hetimeve të filluara ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës. Një fakt i tillë është ende i paqartë, pasi qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme erdhi pothuajse në të njëjtën kohë me deklaratën e bërë nga vetë Ndoja, për dorëheqje nga detyra të kryer nga vetë ai. Gjithsesi mësohet se ajo që ka ndodhur në mesditë, pra largimi i Ndojës nga drejtimi i Prokurorisë së Durrësit, ka qenë një zhvillim për të cilin Prokuroria e Përgjithshme ka qenë në dijeni që më parë. Organi qendror i akuzës tha se Arjan Ndoja do të mbetet në detyrën e prokurorit të thjeshtë derisa kolegët e tij në Prokurorinë e Tiranës të përfundojnë hetimet e filluara ndaj tij.