Xhaferi fton të huajt të investojnë në fushën e turizmit
Turizmi është fusha më me interes për të investuar në Shqipëri. Kështu i është drejtuar ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferi, investitorëve të huaj, pjesëmarrës në forumin e Krans Montanës që zhvillon punimet në Tiranë. Ministri Xhaferi u ka bërë të ditur investitorëve të huaj edhe lehtësitë që ofrojnë ligjet shqiptare për kapitalin e huaj. Xhaferi përmendi lehtësitë e krijuara nga qeveria, ku për të inkurajuar investimet edhe në fushën e turizmit, ligji për koncesionet mundëson përfitimin e një kontrate afatgjatë 35-vjeçare me të drejtë rinovimi kur një biznes rezulton i suksesshëm. Duke folur për resurset natyrore që ofron Shqipëria në fushën e turizmit, Xhaferi tha se qeveria ka investuar në 3 vitet e fundit rreth 1 miliard euro për të përmirësuar infrastrukturën rrugore. Ndërsa nënvizoi faktin se qeveria shqiptare në programin e saj për vitet 2009-2013 e konsideron zhvillimin e turizmit si një nga prioritetet e saj për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit. Xhaferi nënvizoi faktin se objektivi i qeverisë është që Shqipërinë ta kthejë në destinacionin mesdhetar. Shqipëria përshkohet nga një vijë bregdetare me gjatësi 362 km dhe ka trashëguar mbi 2000 objekte të shpallura monumente kulture, tri prej të cilave janë pasuri botërore e njerëzimit, të mbrojtura nga UNESCO (Butrint, Berat, Gjirokastër).