E Shtunë, 31 Tetor 2026

Struktura e policisë, prezantohen shefat e rinj të Rrugores



DURRËS - Prezantohen drejtuesit të rinj të Policisë Rrugore në Durrës. Burime zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar kanë bërë të ditur se dje është bërë prezantimi i shefit të Komisariatit të Policisë Durrës, kryekomisar Agim Buçpapaj. Kryekomisar Buçpapaj kryente deri tani detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Mirditë, ndërsa kryekomisar Ali Allaraj, i cili deri tani drejtonte Komisariatin e Policisë Durrës, është transferuar në Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore Lezhë, me detyrën e shefit të Njësisë. Po kështu, shef i Komisariatit të Policisë Shijak është emëruar kryekomisar Agron Sulëshabani, ndërsa kryekomisar Sulejman Kalaja, që e mbante këtë detyrë, kalon shefi i Komisariatit të Policisë Librazhd. Në kuadër të ndryshimeve strukturore të Policisë Rrugore është parashikuar struktura e re e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Durrës, e cila do të mbulojë me shërbim të Policisë Rrugore rrethet Durrës e Kavajë. Kjo njësi përfshin tri struktura: Seksionin e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore, Seksionin e Verifikimit, Edukimit e Statistikës si dhe një strukturë për shërbimet mbështetëse. Në krye në Njësisë Rajonale Durrës është emëruar kryekomisar Ervin Hoxha, i cili deri tani kryente funksionin e shefit të sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Në detyrën e shefit të Seksionit të Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore është emëruar komisar Daut Naço dhe në detyrën e shefit të Seksionit të Verifikimit, Edukimit dhe Statistikës, komisar Baftjar Adushi.

29 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›