E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve garanton mbështetjen e sportit edhe për 2009-ën

Autori i Lajmit: red.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka dhënë një mbështetje të plotë për zhvillimin e sportit gjatë vitit të kaluar. Zv/ministri i TKRS, Ekrem Spahia, tha se viti 2008 shënon bilancin më pozitiv të mbështetjes së sportit nga qeveria shqiptare. “Gjatë vitit të kaluar, MTKRS ka mbështetur financiarisht të gjitha federatat sportive në aktivitetet e tyre. Gjithashtu, është rritur fondi “Grand”, që ministria jep çdo vit për federatat sportive”, - tha Spahia. Sipas tij, MTKRS ka dhënë mbështetje maksimale edhe për 11 sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. “Janë ngritur grupe pune, në bashkëpunim me KOKSH dhe federatat përkatëse, si dhe janë mbështetur nga ministria të gjitha projektet e KOKSH dhe federatave për një prezantim sa më dinjitoz të Shqipërisë në Lojërat Olimpike”,-nënvizoi Spahia. Ai vuri në dukje se shpërblimi nga qeveria i sportistëve që kanë fituar medalje dhe vende nderi në kompeticione ndërkombëtare në shumën 34.775.000 lekë, rreth 20 herë më shumë se shpërblimi i sportistëve gjatë gjithë qeverisjes së PS. Gjatë 2008-ës ministria ka mbështetur organizimin e një sërë aktivitetesh sportive si zhvillimi i Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për të Rinj (14-21 shtator) si dhe organizimi i Kampionatit Botëror të Mundjes, (19-21 shtator). Ndër arritjet e vitit 2008, Spahia renditi edhe krijimin e disa federatave, veçanërisht atë të Sportit për të Gjithë. Kjo ministri do të krijojë një organizëm të veçantë për hetimin e shitblerjeve të ndeshjeve. Kjo është konfirmuar nga drejtori i ri i sporteve në MTKRS, Vasil Bici, i cili theksoi se "ligji i ri për sportet synon frenimin e trukimit të rezultateve të ndeshjeve në futboll”. Sipas tij, "është e nevojshme që për këtë fenomen të mos flitet më me hamendje, u shit apo nuk u shit ndeshja, ndaj do të ngrihet një institucion i veçantë, detyra e të cilit do të jetë ndjekja hap pas hapi e procedurave dhe evidentimi i personave që bëjnë shkelje të tilla, duke përfituar në kurriz të sportit". Në fakt, një komision i tillë hetimor ekziston në Federatën Shqiptare të Futbollit, por edhe pse ekziston prej afro dy vjet e gjysmë, ai nuk ka dalë me asnjë vendim zyrtar për akuzat e shitjeve të ndeshjeve, qofshin këto kombëtare apo ndërkombëtare.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›