E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devolli: Luftëtari, i destinuar të fitojë çdo ndeshje

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Lideri i gjirokastritëve, Bledar Devolli, thekson se ekipi i këtij sezoni është më i miri i dekadës së fundit dhe meriton superligën 

Futbolli, sikundër pranohet nga të gjithë, është lojë kolektive dhe është pikërisht forca e grupit ajo që sjell suksesin. Megjithatë, në çdo ekip ka të paktën një lojtar lider dhe prania ose jo e tij në një ndeshje të caktuar ndikon shumë në ecurinë e saj. Pa përmendur emra edhe në ekipet më në zë, janë këta që japin zgjidhje përcaktuese në shumë raste. Te Luftëtari i këtij sezoni këtë rol e luan Bledar Devolli, i cili u kthye pas një dekade dhe  mund të themi pa frikë se po luan rol parësor për fytyrën e re që fitoi ky ekip.

Ai është reaktori atomik, organizatori i sulmeve të Luftëtarit, por edhe shkatërruesi i atyre të ekipeve kundërshtare. Kombinon me të gjithë dhe veçanërisht me Norën, që është vrasësi i rrjetave kundërshtare. Në sajë të tyre, por edhe gjithë të tjerëve, Luftëtari  kryeson pas javës së 12-të, ndërkohë që ka humbur vetëm 8 pikë nga 36 të mundshmet. Kanë mbetur edhe 3 javë nga mbyllja e fazës së parë dhe ndeshja e radhës është me Adën në transfertë.

Devolli Për ndeshjen me Gramozin, ku çeli serinë e goleadës me një gol ekzemplar, dhe atë të javës së 13-të  me Adën, që shpresohet të  mos jetë ters, Devolli shprehet: Arritëm një fitore plotësisht të merituar, edhe pse ekipi kishte mjaft mungesa titullarësh, por pikërisht në këtë ndeshje u tregua se Luftëtari ka edhe stol të fortë. Pra, nuk është vetëm meritë e Devollit dhe e Norës, por e gjithë grupit që luan me shpirt gare dhe arrin fitore më shumë se barazime e humbje.

Edhe me Adën në transfertë, ku ekipi ynë do të jetë më i plotë, do të shkojmë për 3 pikët, që mund ti marrim po të luajmë pa frikë dhe si në fushën tonë. E vetmja frikë që kam është gjykimi. Në rast se ky do të jetë i paanshëm, objektivi ynë them se do të bëhet realitet, por pavarësisht  nga kjo, duhet të luajmë si në ndeshjet që kemi zhvilluar në Gjirokastër, por edhe në Kavajë e gjetkë. Luftëtari i këtij sezoni është një ekip ndër më të fortët e kategorisë së parë, por edhe më i miri  i dekadës së fundit, ndaj dhe me siguri do të kthehet në superiore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›