Shkodër, zbardhet pas tetë vjetësh vrasja
Policia e Shkodrës ka arritur të zbardhë një vrasje të ndodhur në vitin 2000 dhe ka arrestuar autorin e këtij krimi. Dilaver Katica, 35 vjeç, banor i lagjes "Partizani" të Shkodrës, u arrestua pasi dyshohet të jetë autori i vrasjes në bashkëpunim, të shtetasit Jetmir Dhampiri, 22 vjeç, më 12 prill të vitit 2000. Megjithëse kishin kaluar 8 vite nga koha kur është kryer ky krim, agjentët e policisë kanë bërë të mundur rindërtimin e ngjarjes, grumbullimin e provave dhe më pas arrestimin e autorit të dyshuar. Burime të policisë pohojnë se në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe kushëriri i të arrestuarit, me iniciale T.K. Sipas policisë, vrasja ka ndodhur për motive të dobëta.