Meta-Klinton, takim në selinë e OKB
Aristir Lumezi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin vullnetin për një bashkëpunim më të ngushtë me Shqipërinë. Deklarata u bë të martën në Uashington nga Sekretarja amerikane e Ahtetit, Hilari Klinton gjatë një takimi me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Zyra e shtypit e kreut të diplomacisë shqiptare bëri të ditur dje se gjatë këtij takimi Meta shprehu angazhimin e vendit tonë për përmbushjen e detyrimeve si vend anëtar i NATO-s. “Klinton i konfirmoi z. Meta vullnetin e SHBA për një bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve në të gjitha nivelet dhe i theksoi atij besimin e plotë tek roli tepër konstruktiv dhe i rëndësishëm, që Shqipëria ka luajtur dhe do luajë si një partnere e afërt e SHBA për mbarëvajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal. Z. Meta, në emër të Qeverisë shqiptare e siguroi Znj. Klinton për angazhimin maksimal të Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e NATO-s dhe dedikimin e Qeverisë për t’iu afruar sa më shpejt integrimit të plotë evropian”, thuhet në njoftimin për shtyp. Meta mori pjesë në darkën Trans-Atlantike e cila u shtrua nga Sekretarja e Shtetit të SHBA Hillari Klinton. Kjo darkë u organizua gjatë Sesionit të 64 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën ishin ftuar ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së dhe NATO-s. Gjatë darkës ministrat e Jashtëm të Aleancës së Atlantikut diskutuan rreth një sërë çështjesh të një rëndësie të veçantë për paqen dhe sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së. “Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Meta u takua dhe zhvilloi një bisedë të ngrohtë me Sekretaren e Shtetit Klinton, e cila e përshëndeti Z. Meta për marrjen e funksioneve dhe i uroi atij suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të rëndësishme politike për Shqipërinë”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zv/kryeministri Meta zhvilloi takime edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Yves Leterne, atë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohammed Bin Rashed Al Maktoum dhe Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Panamasë, Meliton Arrocha. Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm belg, Yves Leterne, u diskutuan çështje që lidhen me integrimin evropian të vendit, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe. Zv/kryeministri Meta vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe njëkohësisht i kërkoi bashkëbiseduesit mbështetjen e Belgjikës për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e rajonit. “Pasi vlerësoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri dhe raportin pozitiv të OSBE/ODIHR-it për to, ministri i Jashtëm belg konfirmoi mbështetjen e plotë të vendit të tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Përsa i përket liberalizimit të vizave, z. Leterne u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit të Komisionit Evropian dhe shprehu besimin në përmbushjen e shpejtë të tyre nga pala shqiptare, çka do të sillte një reagim pozitiv për këtë qëllim”, thuhet në njoftimin për shtyp. Në takimet me homologët e tij të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Panamasë, biseda u përqendrua kryesisht në zhvillimet në rajonet respektive dhe në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në bashkëpunimin në kuadrin e organizatave ndërkombëtare.
Berisha në SHBA:Me fondet tuaja luftuam korrupsionin
Kryeministri Sali Berisha tha dje në Konferencën “Zhvillimi dhe Bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”, organizuar nga “Millenium Challenge Corporation” dhe organizata “Interaction” se fondet që ka përfituar Shqipëria janë përdorur për të luftuar korrupsionin. Kryeministri i njohu të pranishmit me faktin se këto para u përdorën në disa projekte të rëndësishme e të suksesshme, të cilat ndryshuan shumë vendin dhe luftuan burokracinë dhe si rrjedhojë korrupsionin si Regjistrimi i Biznesit (ONE STOP SHOP), i cili ndihmoi shumë njerëzit e biznesit dhe komunitetin e biznesit në përgjithësi. “Më pas, Kryeministri u ndal në rëndësinë e Prokurimeve Elektronike në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit. Shqipëria, tha Kryeministri, është i vetmi vend që zbaton vetëm Prokurime elektronike. Këto para, shtoi Kryeministri, kanë rëndësi, sepse reformat janë jetike për të luftuar korrupsionin. Kështu u krijua ONE STOP SHOP për lejet dhe licencat, menjëherë pasi qeveria hoqi 2 të tretat e tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Këshillit të Ministrave. Në ditën e tretë të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Berisha mori pjesë në hapjen e Debatit të Përgjithshëm të Sesionit të 64-t të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ky panel u fokusua në Raportin Vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm mbi punën dhe nismat e Organizatës dhe u prezantua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, zoti Ban Ki Moon. Kreu i Qeverisë do të mbajë diskutimin e tij më 26 shtator dhe në fjalën e tij do të fokusohet në mbështetjen e Shqipërisë për OKB, kontributin e Shqipërisë në paqen dhe sigurinë globale në kuadër të NATO-s e më gjerë, njohja e pavarësisë së Kosovës, objektivat e mijëvjeçarit për një zhvillim të qëndrueshëm. Gjatë ditës së djeshme Berisha u takua me kryeministrin e Australisë, Kevin Rudd, presidentin e Libanit Michael Sulayman, si dhe me ish-zëvendëssekretaren e Shtetit në administratën amerikane, Paula Dobriansky.