Ligji, profesionet që do bëjnë provimin shtetëror
BLEDAR HOTI
Zbardhet projektligji “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”. Shtetasit që duhet të ushtrojnë dhjetë profesionet e posaçme në Shqipëri duhet të japin një provim shtetëror përpara se të marrin titullin e tyre. Të dhjetë profesionet janë sipas projektligjit: “mjeku; mjeku profesional; dentisti; dentisti i specializuar; farmacisti; infermieri; mamia; veterineri; arkitekti dhe inxhinieri”. Këtij provimi duhet t’i nënshtrohen jo vetëm shtetasit shqiptarë, por edhe ato të huaj që duan të ushtrojnë një profesion të tillë në vendin tonë. Qëllimi i këtij projektligji, sipas nenit 2, është përcaktimi i kritereve për ushtrimin e disa profesioneve të rëndësishme, të cilat lidhen me mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit, duke respektuar parimin e shqyrtimit të pavarur dhe autonominë e profesionistëve. Sipas nenit 8, për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, çdo kandidat duhet të: a) kryejë provimin e shtetit; b) të kryejë praktikën profesionale dhe c) të regjistrohet pranë Urdhrit Profesional përkatës, një ent publik kombëtar jo fitimprurës. Provimi i shtetit profesional organizohet dhe ushtrohet nga Ministria e Arsimit. Me urdhër të ministrit ngrihet Komisioni Kombëtar i Vlerësimit (KOMKOV) në përbërje të të cilit janë 5 anëtarë. Kjo kategori personash, përveç provimit shtetëror janë të detyruar që të realizojnë dhe një praktikë profesionale. “Urdhri profesional siguron që praktika të kryhet nën drejtimin e një profesionisti, i cili e ushtron profesionin e tij prej tre vitesh dhe jep garanci për përgatitjen e praktikantit. Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i jepet një pagesë prej jo më pak se 50% e rrogës bazë”, thuhet në pikat 3 dhe 4 të nenit 11 të draftit. Përjashtohen nga këto praktika, ato persona që e kanë kryer një të tillë, kanë përvojë. Ata duhet ta vërtetojnë një gjë të tillë. Projektligji përjashton nga detyrimi për të kryer provimin e shtetit për formim profesional të gjithë ata profesionistë, shqiptarë apo të huaj, të cilët ushtrojnë një profesion të rregulluar në Republikën e Shqipërisë, para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërsa profesionistët mund të realizojnë ngritjen e një shoqërie profesionale. Kjo mund të ngrihet nga ato persona që ushtrojnë të njëjtin profesion në vend. Urdhri profesional miraton ngritjen e një shoqërie të tillë.
Profesionet që i nënshtrohen provimit shtetëror
Mjeku
Mjeku profesional
Dentisti
Dentist i specializuar
Farmacisti
Infermieri
Mamia
Veterineri
Arkitekti
Inxhinieri