Ministria rikthen te kryetari i komunës dhënien e licencës për taksitë
Avushe Zhuka
Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve i rikthen sërish kompetencën kryetarit të Komunës për dhënien e licencës së taksive. Kompetencat për lëshimin e licencave të shërbimit taksi i rikthehen kryetarit të komunës 3 vjet pasi i ishte hequr me ligj kjo e drejtë. Shkak për heqjen e licencave në vitin 2007 u bë operimi i taksive (8+1) jashtë rregullave të shërbimit. Taksitë konkursin autobusët në linjë të rregullte, gjë që solli dëmtim të tregut të transportit të udhëtarëve. Projektligji, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.8308 “Për transportet rrugore”, i ndryshuar, në dispozitat e neneve 4 dhe 5 parashikon dhënien e të drejtës së lëshimit të licencës të në shërbimin taksi edhe kryetarit të komunës.
Licenca
Në vitin 2007 kryetarit të komunës iu hoq e drejta për lëshimin e licencës në shërbim taksi pasi, njësitë e qeverisjes vendore nuk kishin ndjekur një politikë të qartë e konstruktive, lidhur me numrin e licencave të lëshuara prej tyre në shërbim taksi. Probleme ishin vërejtur edhe përsa i përket llojit të autoveturës (8+1) apo (4+1)vende të licencuara për këtë shërbim. Të gjitha komunat dhe një pjesë e bashkive kishin licencuar më shumë autovetura (8+1) dhe më pak autovetura(4+1) në shërbimin taksi. Nga kontrollet e kryera rezultoi se taksitë (8+1) nuk punonin sipas rregullave të këtij shërbimi, por ato operonin njëlloj si autobusët në linjë të rregullt. Për pasojë u dëmtua rëndë tregu i transportit rrugor të udhëtarëve me autobus në linja të rregullta ndërqytetëse. Deformimi që kishte pësuar tregu i transportit të udhëtarëve ishte shkaku pse kryetarit të komunës iu hoq kjo e drejtë dhe iu dha vetëm kryetarit të bashkisë për të lëshuar licenca në shërbimin taksi.
Projektligji
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 8308,datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, i jep bashkisë dhe komunës të njëjtat të drejta porsa i përket transportit publik. Kufizimi në dhënien e numrit të licencave, apo dhe heqja e të drejtës së dhënies së licencave nga kreu i Komunës nuk ka sjellë rezultatet që priteshin në tregun e shërbimit taksi. Roli kryesor për rregullimin e këtij shërbimi u mbetet organeve të kontrollit në rrugë, të cilët duhet të luajnë rolin e tyre të ngarkuar me ligj. Nëse një autoveturë e licencuar në shërbimin taksi kryen ose jo këtë shërbim, duhet të vërtetohet nga organet e kontrollit në rrugë të cilat kontrollojnë të gjithë tregun e transportit rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave. Disa nga ndryshimet që janë bërë në projektligj janë pajisja e mjeteve të udhëtarëve dhe transportit me certifikatë. Në pikën 1 të nenit 1 dhe nenin 2 është parashikuar që edhe mjetet e transportit të udhëtarëve, si dhe mjetet e transportit të mallrave të pajisen me certifikatë operimi. Deri më tani subjektet e pajisura me këto mjete kanë kryer veprimtarinë për llogari të vet në transportin e udhëtarëve pa regjistruar mjetet e tyre në treg. Në nenin 6 është bërë një ndryshim i kapacitetit transportues nga 500 kg në 1500 kg. Ky ndryshim ka ardhur si rezultat i ndryshimeve në tregun e transportit por edhe të mospërputhjes së masës së transportit të përcaktuar në ligjin në fuqi me përcaktimin e dhënë në pikën 2 , të nenit 82, dhe në pikën 2,të nenit 83, të ligjit Nr.8378,datë 22.7.1998.”Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”.
Gjoba deri në 200 000 për transportuesit e huaj
Projektligji lejon kryerjen e transportit brenda territorit të Shqipërisë, nga një transportues i huaj(kabotazh), që nuk ka selinë në Shqipëri edhe kur nuk parashikohet në marrëveshjen ndërkombëtare me shtetin,ku transportuesi i juaj ka selinë, vetëm për arsyer të emergjencës civile. Në nenin 8 të këtij projektligji parashikohet gjobitja nga 100 000 deri 200 000 lekë, ose dhe me heqje të licencës, në rastet kur transportuesi i huaj nuk ka marr lejen e nevojshme. Kur transporti i mallrave, kabotazi kryhet pa lejen e nevojshme, transportuesi i huaj dënohet: me gjobë 100 000 deri në 200 000 lekë; me heqjen e lejes për kryerjen e kabotazhit.
13 Korrik 2010