Pranimi i Kosovës së pavarur – hapi kryesor i Serbisë për integrimin europian
Nga Elvina Jusufaj
Këshilli i Politikës së Jashtme
Në gjithë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, Serbia dhe Kosova mbeten dy shtetet e fundit për të plotësuar integrimin e plotë të këtij rajoni në BE. Për Serbinë, shtet i cili ka zhvillimin dhe kulturën e nevojshme për të qenë pjesë e këtij procesi, duket se pengesa e vetme mbetet mbyllja e proceseve që kanë të bëjnë me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe fillimin e një realiteti të ri. Në mënyrë të vecantë Europa kërkon nga Serbia dy gjëra kryesore; 1) Dënimin deri në fund të kriminelëve të luftës dhe dorëzimin e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës (Mlladic) dhe 2) pranimin përfundimtar të një realiteti të pakthyeshëm, Kosovën si shtet i pavarur. Duke ndjekur nga afër zhvillimet në Serbi, gjithmonë e më shumë vihet re se po rritet sensibiliteti i shoqërisë ndaj krimeve monstruoze që janë kryer gjatë procesit të shpërbërjes së Ish-Jugosllavi-së dhe luftrave që e shoqëruan atë, njohjen me krimet dhe pasojat e tyre në një proces të ri transparence, jashtë ideologjisë nacionaliste, gjë që do të sjellë si rezultat dënimin e fajtorëve. Nuk mund të ndodhë që një proces i ri si ai i integrimit europian të mund të mbahet peng i nacionalistëve dhe kriminelëve që i kanë shkaktuar kaq dhimbje e poshtërim një populli të tërë. Pranimi i Kosovës së pavarur është pjesa më e vështirë për tu pranuar nga politikanët e Serbisë. Të mbrujtur me konceptet nacionaliste të shtetit, për shumë nga ata është e papranueshme një humbje e madhe e sovranitetit dhe zhvlerësim i historisë së vendit të tyre. Për shumë të tjerë që janë realistë dhe e kuptojnë që Kosova e pavarur është një realitet që pasqyron zhvillimin e historisë në kahun e drejtë, mospranimi i Kosovës si shtet i pavarur është kali i tyre i betejës për të fituar më tepër terren në politikë. Në pritje të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë politika e Serbisë po intensifikohet në drejtim të një zgjidhje të re politike: kompromisit për veriun e Kosovës. Tëza për ndarjen e Kosovës është një temë e vjetër dhe e elaboruar nga institucionet ndërkombëtare shumë kohë përpara se Kosova të shpallte pavarësinë. Të shumtë qenë ata që në atë kohë hodhën jo vetëm idenë e kantonizimit të Kosovës por edhe të ndarjes së saj. Të gjitha opsionet e diskutara nuk fituan për arsye se jo vetëm nuk sillnin një zgjidhje të qëndrueshme dhe realiste por krijonin një precedent të rrezikshëm në Ballkan, rajon i cili është i mbushur me histori luftrash dhe konflikte të etnive me nacionalitete të ndryshme që mbushin hapësirat e shteteve ballkanike. Ndarja e Kosovës sot jo vetëm nuk zgjidh problemin por krijon një problem akoma më të madh – precedentin e rrezikshëm për zgjidhje situatash të tjera në të njëjtën mënyrë. Por pse politika serbe vazhdon të jetë aktive ndaj një realiteti të pakthyeshëm si ai i pavarësisë së Kosovës?
Kjo ndodh për disa arsye:
Së pari: Politikanët serbë duke e kuptuar që e kanë humbur këtë betejë, kërkojnë të bëjnë presion për të fituar minimalisht në betejat politike që kanë në të ardhmen. Ata bëjnë presion megjithëse e dinë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare është një vendim këshillimor, i cili vendimin përfundimtar gjithmonë e bazon në vijën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në rastin e Kosovës anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, SHBA, Franca, dhe Britania e Madhe e kanë pranuar Kosovës si shtet i pavarur. Së dyti: Kosova dhe pavarësia e saj do të mbetet edhe për disa kohë kali i betejës për shumë nacionalistë dhe politikanë që duan të ecin përpara në politikën serbe. Së treti: Politikanët serbë kërkojnë të fitojnë nga humbja e Kosovës, për ta përdorur atë si “quid pro quo” për të fituar në proceset e vonuara të integrimit, duke e (justifikuar) treguar veten në jo pak raste si viktima të vendimeve të komunitetit ndërkombëtar. Së katërti: Duke qenë agresivë ndaj Kosovës, politikanët serbë shprehen hapur për një konfiguracion të ri të Ballkanit, me ndarje të reja gjeografike, ndarje përmes të cilave mund të rikrijohet një gjeografi e re Ballkanike me disa shtete kryesore; Serbia e Madhe, Kroacia e Madhe dhe Shqipëria e Madhe. Serbët tregojnë se përpara interesave të tyre si shtet, nuk mund të pranojnë asnjë vendim apo zgjidhje të pranuar dhe vendosur nga fuqitë e mëdha. Ky skenar për vite me radhë (me vite) është përkrahur edhe nga diplomacia ruse. Gjykata Ndërkombëtare në vendimin e saj nuk pritet të mbajë një vendim të prerë por do të formulojë një përgjigje, që pasqyron zhvillimet e drejta dhe angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për këtë rast unikal; atë të mbrojtjes së popullsisë ndaj genocidit dhe spastrimit etnik. Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si rezultat i zhvilimeve dhe luftës së një populli për vetvendosje, por si rezultat i mbrojtjes së një populli ndaj të cilit ushtrohej një “spastrim etnik”. Në këtë rast cdo argument që mund të ishte në favor të mbrojtjes së sovranitetit të shteteve anëtare dhe tërësisë territoriale të vendeve anëtare të OKB-së bie poshtë. Për më tepër që në fjalimin e tij në v. 2000, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së hodhi tezën që sovraniteti shtetëror sot po zëvendësohet me sovranitetin popullor. Sa më shpejt që ky realitet do të kuptohet nga politikanët serbë, aq më shpejt ata do të jenë më afër familjes së tyre natyrale; Bashkimit Europian.
13 Korrik 2010