Ndalni përplasjen negative të gjyqësorit me mediat
Letër e hapur drejtuar zotit Bamir Topi,President i Republikës së Shqipërisë, kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Ndalni përplasjen negative të gjyqësorit me mediat
I nderuar zoti President,
Në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, organizata më e madhe e gazetarëve profesionistë të Shqipërisë, më lejo t’ju përcjell së pari konsideratat e larta për misionin dhe rolin tuaj jetik kushtetues dhe t’ju shpreh një shqetësim serioz i cili buron nga një proces i hapur gjyqësor ndaj njërës prej mediave më kryesore në vend, kanalit televiziv “Top Channel”
Zoti President,
Në datën 18 qershor 2010, sic jeni vënë në dijeni prej njoftimeve të mediave shqiptare, në Gjykatën e Faktit të rrethit Tiranës u dha vendimi gjyqësor i trupit gjykues të kryesuar prej gjyqtarit Agim Bendo, sipas të cilit ish ministri i Kulturës, zoti Ylli Pango dëmshpërblehet në shumën prej 400 mijë euro prej “Top Channel” për shkak të publikimit të një videoje prej emisionit “Fiks Fare”, publikim që cënonte privacinë e qytetarit Pango. Ky vendim dhe penaliteti financiar që gjyqtari ka dhënë ndaj Top Channel, ka drithëruar gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë.
Organizata jonë dhe shumica e mediave të vendit, kanë ngritur publikisht shqetësimin se një vendim i tillë, penaliteti që ai përmban, përbëjnë një masë të padrejtë ndëshkimore për një ent dhe trupë mediatike në vend. Ky është penaliteti më i lartë financiar që jepet në historinë e gjykatave shqiptare për një media private, ndërkohë që ky vendim, ndonëse i padiskutueshëm sipas Kushtetutës, ka hapur debate të fuqishme interpretimi në komunitetin e juristëve dhe sidomos, ka shkaktuar një jehonë të madhe ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një përplasje me kontekste jo profesionale mes gjyqësorit dhe mediave të vendit.
Ky vendim i padrejtë, sipas arsyetimit dhe bindjes së juristëve që konsultojnë Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, por edhe ekspertë të huaj, ka shkaktuar një jehonë negative për rolin dhe besueshmërinë ndaj gjyqësorit shqiptar. Ky vendim kompromenton besueshmërinë ndaj drejtësisë që japin individë si gjykatësi në fjalë, ndërsa ai ka tërhequr maksimalisht vëmendjen e mediave dhe gazetarëve profesionistë rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Zoti President,
Vendimi i trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Agim Bendo, po merret në analizë nga studiues dhe teoricienë të medias dhe drejtësisë, si një kazus që kompromenton autoritetin, integritetin e gjyqtarit në raport me shqyrtimin e këtij procesi ku përballet një media me një ish titullar politik, madje titullar ende në një ent publik.
Zoti President,
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ju drejtohet ju në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të shprehur shqetësimin e mësipërm, por njëkohësisht për t’ju vënë në dijeni me një akt tjetër të një grupi gjyqtarësh të Gjykatës së Faktit, të cilët iu bashkuan një peticioni “solidar” me 39 nënshkrues, në të cilin denoncojnë sipas tyre “presionin që Top Channel” bën mbi këtë gjyqtar dhe gjykatën. Ky akt sindikal i gjyqtarëve në fjalë, sipas arsyetimit tonë, përbën një precedent që rrezikon seriozisht misionin dhe paanësinë që gjyqtarët dhe gjykata në tërësi duhet të mbartin në funksionimin e tyre. Përmes një peticioni të tillë ky grup gjyqtarësh ka krijuar një konflikt të hapur interesi me cdo cështje të mundshme gjyqësore apo procese që mund të ketë Top Channel dhe gazetarët e kompanisë mediatike “Top Media” apo edhe gazetarët në përgjithësi, të cilat vijojnë të jenë mbështetës të kolegëve të tyre.
Zoti President,
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, për këtë proces të saponisur, i është drejtuar Federatës Botërore të Gazetarëve, Reporterëve Pa Kufi dhe disa asosacioneve të tjera prstigjioze në Botë për të ndjekur me vëmendje këtë proces gjyqësor, i cili sipas të gjitha gjasave, po listohet si një marrëdhënie keqfunksionuese mes dy pushteteve në shoqërinë e sotme demokratike shqiptare.
Për këtë arsye, duke besuar tek autoriteti juaj si Kryetar i këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkojmë që në ecurinë e mëtejshme të këtij procesi të ndikoni që asnjë prej gjykatësve nënshkrues të peticionit të sipërpërmendur, të mos ketë lidhje me këtë proces dhe të shmangen ndikimet e drejtpërdrejta apo të tërthorta që ata mund të kenë mbi kolegët e tyre që do të jenë gjykues të cështjes.
Me besimin se vëmendja juaj institucionale do të ndikojë për pasjen e një procesi të pandikuar dhe do t’i shërbejë inkurajimit të misionit jetik që media ka në një shoqëri ku korrupsioni më së shumti ka prekur dhe mban të mbërthyer sistemin e drejtësisë.
Me konsideratë të përhershme
Aleksandër Çipa
Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
13 Korrik 2010