E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrihen në krye të detyrës 3 efektivë rrugorë, në spital

 ELBASAN/ ALDO KOZARIAIu bëjnë shenjë të ndalonin për të kryer një kontroll rutinë të dokumenteve të mjeteve, por punonjësit e policisë rrugore përfundojnë në spital të gjakosur e me fraktura të rënda. Sipas burimeve zyrtare, tre efektivë të policisë rrugore të Komisariatit të Policisë së Elbasanit ndodhen të shtruar në spitalin kirurgjik të këtij qyteti, pasi janë goditur me mjete të forta nga katër persona. “Tre efektivët e policisë rrugore, shtetasit I.L., A.K. dhe E.Z., kanë qenë duke patrulluar në aksin rrugor Elbasan–Metalurgjik, pranë një karburanti, kur ata i kanë dhënë shenjë për të ndaluar mjeteve tip “Benz”, njëri me targë EL 8512 B, si dhe tjetri me targë CK 51 FPC, kur edhe janë sulmuar”, bëri të ditur dje zëdhënësja e policisë, Valbona Begu. Mësohet se në momentin kur iu është dhënë sinjali, të dy mjetet kanë ndaluar duke iu bindur uniformave. Por shoferët e dy “Benz”-ave bashkë me pasagjerët, konkretisht shtetasit Sajmir Sula, 32 vjeç, Ismail Korra, 45 vjeç, Gazmir Pisha, 34 vjeç dhe vëllai i tij, Agron Pisha, 32 vjeç, kanë dalë menjëherë nga makinat dhe kanë ofenduar e goditur me mjete të forta punonjësit e policisë. Pas sulmit të papritur, tre efektivët rrugorë kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Ata sinjalizuan menjëherë kolegët e tyre të rendit për ngjarjen e ndodhur. Këta të fundit nuk vonuan të shkojnë në vendin e ngjarjes dhe të ndalojnë agresorët. Ata u morën në pyetje për incidentin e ndodhur në rrugë, ndërsa bëhet e ditur se po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Blutë transportuan në spital kolegët e tyre të përgjakur, të cilët morën edhe ndihmën mjekësore. Burime spitalore u shprehën se tre punonjësit e policisë kishin pësuar plagë në trup dhe se ata janë tashmë jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›