Ministria serbe përgjegjëse për dhunën në Mitrovicë
• Pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë kanë qenë të implikuar në rrëmbimin e gjykatës në Mitrovicë, një akt që nga ekspertët ndërkombëtarë konsiderohet si shkelja më flagrante dhe përzierjen në punët e brendshme të Kosovës.UNMIK-u ka pranuar se ka prova ta palëkundshme mbi praninë e tyre në gjykatën e uzurpuar nga serbët në veri të Kosovës. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, tha se “ne nuk i kemi lejuar ata që të hyjnë në Kosovë, por ata disi kanë hyrë. Unë mund t’ju them se kemi prova të palëkundshme, se zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kanë qenë të pranishëm në gjykatë. Ne kemi prova të padiskutueshme dhe këto prova do t’u ofrohen hetuesve. Natyrisht, ne do të provojmë që të sigurojmë se oficerët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë nuk do të hyjnë në Kosovë. Do të bëjmë maksimumin, ua premtoj këtë”, tha Ivanko. Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka biseduar për këtë çështje me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Larry Rosin, ndërkohë që gjatë ditës ka pasur takime të mekanizmave të ndryshëm të sigurisë. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa, thotë se janë duke u shqyrtuar masat kundër veprimit të strukturave paralele serbe të sigurisë në veri. “Të gjithë ata që janë të përfshirë nga jashtë, që nuk janë banorë të këtushëm, normalisht do të largohen nga vendi dhe do të merren masa që vetëm ata që janë përgjegjës të punojnë për sigurinë në vend, ata të punojnë”, tha Mustafa. Rimarrja e kontrollit mbi Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, e cila ishte uzurpuar nga serbët, ka çuar në dhunën e serbëve kundër forcave ndërkombëtare të sigurisë, ku një polic ukrainas humbi jetën, ndërsa 40 policë të UNMIK-ut e 22 ushtarë të KFOR-it janë plagosur. Lideri i serbëve të Kosovës, Rangjel Nojkiç, tha se nëse vërtetohet se në gjykatë ka pasur punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, atëherë kjo ministri duhet ta bartë përgjegjësinë. “Konsideroj se nëse deklarata që ka dhënë Rosin është e vërtetë, në kuptimin që të gjithë ata që janë ndaluar e identifikuar dhe për aq sa këto të dhëna janë të sakta, atëherë Ministria e Punëve të Brendshme, të bartë përgjegjësinë”, tha Nojkiç.Fqinjët e Serbisë njohin Kosovën Kroacia, Bullgaria dhe Hungaria janë vendet e para fqinje me Serbinë që kanë deklaruar se do të njohin pavarësinë e Kosovës. Ato kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku thuhet se vendimi i tyre ishte marrë pas një shqyrtimi të hollësishëm dhe në përfundimet e BE-së. Deklarata e përbashkët bën të qartë se Bullgaria, Kroacia dhe Hungaria do t’i mbështesin përpjekjet e BE-së dhe NATO-s për të ruajtur stabilitetin dhe për të ndërtuar demokracinë në Evropë.Thirrja e Jeremiç: Mos njihni Kosovën Ministri i Jashtëm i Serbisë u ka apeluar vendeve të botës që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. “Mos e bëni, ky është një apel. Unë shoh me brengosje sesi vendet e rajonit e kanë njohur ose do ta njohin Kosovën. Unë ju them që mos ta bëjnë. Mos e prekni sovranitetin e Serbisë duke njohur Kosovën”, tha Jeremiç pas një takimi me ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis. Jeremiç ka siguruar se Serbia do të përdorë gjitha kanalet politike dhe ligjore për të parandaluar këtë që po ndodh. Kanadaja dhe Monako njohin pavarësinë Kanadaja e njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Ministri i Jashtëm kanadez, Maksim Barnie, tha se “ne e njohëm Kosovën si shtet i ri”, tha ai në rrjetin CBS, duke shtuar se Kosova nuk mund të krahasohet me Kebekun. Kanadaja është e fundit nga Grupi G 7 që njohën pavarësinë e Kosovës. Edhe Principata e Monakos e njohu Kosovën. Presidenti Fatmir Sejdiu mori një letër nga Zhan Pastoreli, Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë i Qeverisë së Monakos, ku njoftohet se ky vend e njeh Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.