Ministria shpërndan sms: Aplikoni për karta
"Të gjithë shtetasit që nuk disponojnë pasaportë për jashtë shtetit duhet të pajisen menjëherë me letërnjoftimin elektronik. Ministria e Brendshme". Ky është mesazhi i shpërndarë nga ky institucion për shqiptarët me anë të sms telefonik. Ministria e Brendshme ka shpërndarë sms në numrat e shqiptarëve të të gjithë operatorëve të telefonisë që janë aktualisht në Shqipëri. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja pohon për "Panorama", se "një nismë e tillë është ndërmarrë prej 4-5 ditësh, ku qytetarët ftohen që të aplikojnë për pajisjen me kartat e identitetit". Kjo nismë sensibilizuese pritet të ketë një ndikim në aplikimin e qytetarëve për kartën e identitetit. Ndërsa Posta Shqiptare, me anë të një njoftimi për shtyp ka bërë publike faktin se ka pasur një rritje të madhe të aplikuesve ditën e djeshme. "Deri në orët e pasdites së djeshme numri i shtetasve pa pasaportë që kanë tërhequr kuponin bazuar në VKM dhe udhëzimin e Ministrisë së Financave ka shkuar në 14 mijë, ku rreth 6 mijë prej tyre duke mos gjetur emrin në listat e Ministrisë së Brendshme kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit dhe pjesa tjetër prej 8 mijë, kanë gjetur emrin në listat e sjella në postë nga Ministria e Brendshme", tha zëdhënësi i Postës, Bruno Gjymshana. Bazuar dhe në VKM dhe marrëveshjen mes Postës Shqiptare dhe ISSH, janë rimbursuar deri më sot rreth 47 mijë pensionistë.