E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama apel për herë të parë për kartat

 

Aristir Lumezi

Kreu socialist Edi Rama bëri apel dje nga Berati për pajisje me karta identiteti. Për herë të parë që prej fillimit të procesit të aplikimit për karta, kreu socialist i kërkoi banorëve të Uznovës dhe qytetit Berat, të cilët i takonte rastësisht në rrugë dhe sheshe të paguanin shumën prej 200 lekë, të cilën e cilësoi taksë të votës. "Unë e di që ju keni vështirësi të mëdha, por të gjithë duhet të shkojnë të marrin kartën dhe të japin votën për ndryshimin në jetën e familjes së tyre, për ndryshimin në shkollën e fëmijës së tyre, për ndryshimin në listën e ilaçeve të të moshuarve të tyre dhe për ndryshimin, që prej kaq shumë vitesh e prisni, të sjelljes së politikës ndaj jush", tha Rama në autobusin e linjës Uznovë-Berat, ku ai udhëtoi bashkë me qytetarët e tjerë. Por Rama nuk është mjaftuar me kaq. Pasi mbërriti në qytetin e Beratit, Rama ka vazhduar takime spontane me qytetarë ku u ka kërkuar atyre të aplikojnë për kartat e identitetit. Duke shkuar nëpër dyqane apo duke i takuar njerëzit në rrugë e lulishte, Rama u ka kërkuar atyre të aplikojnë, të paguajnë taksën e votës e cila u reduktua vërtetë në 200 lekë, por që siguroi Rama, pas 28 qershorit, kjo taksë do të rimbursohet nga socialistët në qeverisje. "Aplikoni për të marrë kartën e identitetit, tha Rama, gjatë këtyre takimeve derë më derë në Berat, pasi vetëm kështu do të kemi mundësinë për të nxjerrë në pension këtë politikë të vjetër që varfëron". Socialistët kërkuan karta falas nga qeveria, e cila pas negociatash disa ditore, pranoi që kartat e identitetit të jepen me 200 lekë të reja për të gjithë shtetasit pa pasaportë, por dhe falas për disa kategori të caktuara sociale. Në qendër të takimeve që kreu socialist pati në Uznovë të Beratit, Rama ka prekur problemin e arsimit. Kreu socialist bazuar në programin qeverisës të PS-së, premtoi libra falas për të gjithë fëmijët e varfër. "Sali Berisha pati pafytyrësinë të thotë, se abetaret të jenë falas. Abetaret nuk janë falas. Ato janë shitur një për një, siç janë shitur një për një të gjithë librat e klasës së parë dhe të gjitha klasave të tjera, dhe janë shtuar radhët e fëmijëve që nuk kanë shkuar dot këtë vit në shkollë, për shkak të varfërisë. Kjo do të ndryshoj pas 28 qershorit. Ne abetaren dhe librat e shkollës do t'i japim falas për të gjithë fëmijët e varfër, jo me rimbursim, por drejtë e në dorë", tha Rama. Në këto takime kreu socialist shoqërohej nga deputetët e qarkut të Beratit, Erion Braçe, Marko Bello dhe kandidati për deputet Fidel Ylli. Sipas Ramës, duhet të ndryshojmë politikën, në qoftë se duam të ndryshojmë qeverisjen. Rama u shpreh se politika e vjetër ka 18 vjet që ka futur mes njerëzve ndarjen e përçarjen, duke mos u dhënë dot qytetarëve të këtij vendi arsye për t'u bashkuar. "Kanë 18 vjet që ju japin ju dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm arsyen pse duhet të jeni të ndarë, pse duhet të jeni të përçarë, pse duhet të bëni sherr dhe për çfarë, në fund të fundit, për ata, për politikanët", tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›