Ministria zgjat orarin për pasaportat biometrike
Ministria e Brendshme bëri të ditur dje se ka vendosur zgjatjen e orarit për të aplikuar për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Zëdhënësi i këtij dikasteri, Fatmir Konja, tha dje se ministria i kërkoi kompanisë koncesionare zgjatjen e orarit, kërkesë që kjo e fundit e pranoi. “Koncesionari i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Brendshme dhe duke filluar nga dita e djeshme, datë 12 gusht, deri në fund të muajit, do të punohet nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 19:30 të mbrëmjes, në zyrat e aplikimit për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike në: Tiranë, Kamëz, Bathore, Elbasan, Durrës, Fier, Patos, Lushnje, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër”, theksoi zëdhënësi Konja. Sipas tij me këtë zgjatje të orarit synohet të përballohet pa problem fluksi i kërkesave të qytetarëve gjatë këtij muaji për pajisjen me dokumentet e reja të identitetit. “Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve, që të vijojnë aplikimin për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat e reja biometrike, duke i garantuar se do të krijojë të gjitha lehtësitë e duhura, kurdo që të jetë e nevojshme”, përfundoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.