E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panik në Seman, rrezikuan mbytjen 3 vetë

 

FIER - Sërish frikë dhe ankth në plazhin e Semanit. Edhe dita e djeshme ka qenë e rrezikshme për disa pushues, të cilët pas shumë përpjekjeve kanë arritur të shpëtojnë jetët e të afërmve dhe familjarëve të tyre. Tre raste të reja janë paraqitur në rrezik mbytjeje, si pasojë e humbjes së vëmendjes. Dy fëmijë, motër dhe vëlla janë shpëtuar nga plazhistët qysh në orët e para të mëngjesit. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, A.Z dhe K.Z përkatësisht 7 dhe 8 vjeç kanë qenë duke luajtur fare pranë detit. Një vorbull e madhe rëre ka lëvizur duke tërhequr vogëlushët poshtë. Të tmerruar ata kanë vrapuar duke hyrë në brendësi të detit. Të gjithë sa e kanë parë skenën u kanë kërkuar fëmijëve të qetësoheshin, por ata nuk i kanë dëgjuar. Në ndihmë të tyre janë hedhur familjarët, por, siç tregojnë vetë ata, ka qenë shumë e pamundur. Fëmijët të cilët nuk dinin not janë përplasur nga dallgët dhe më tej janë mbuluar prej ujit. Këto skena të frikshme kanë përfunduar sapo babai i fëmijëve dhe xhaxhai i tyre kanë arritur t’i nxjerrin fëmijët, edhe pse në gjendje shoku. “Për disa minuta kemi qëndruar në anë të detit, pasi fëmijët kishin pirë shumë ujë. Nuk është dashur ndërhyrja e mjekëve pasi ata janë thjeshtë të trembur tani”, është shprehur emigranti Zabit Zeqiri, i cili është kthyer në atdhe për të kaluar pushimet verore, por që për pak humbi dy fëmijët. Ndërkaq rasti tjetër që i ka rrezikuar jetën, ka qenë ai i një gruaje 35-vjeçare, e cila nuk ka ditur not. Pushuesit e tjerë i kanë ardhur në ndihmë, sapo kanë dëgjuar thirrjet e saj. Vendosja e rojeve përgjatë bregdetit është një ndër kërkesat e vazhdueshme të pushuesve të Semanit.                       m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›