E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministritë nuk "flasin" mes tyre përtej kompetencave

Shitja e ilaçeve të njerëzve në farmacitë veterinare, ku tregtohen barna për kafshët, nuk është një temë bashkëbisedimi mes dikastereve. Ministria e Bujqësisë, që jep licenca për këto farmaci veterinare, dhe Ministria e Shëndetësisë që jep licenca për barnatoret, i kanë të ndara përgjegjësitë mes tyre. Në farmacitë ku tregtohen ilaçe për njerëzit ushtron kontroll shëndetësia, ndërsa në ato ku tregtohen barna për kafshët inspektimet janë përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë. Të pyetur për problemin sesi ushtrohen kontrollet, se cilat janë përgjegjësitë dhe bashkëpunimet ndërsektoriale, morëm dy prononcime.

"Kompetencat e shëndetësisë janë për të kontrolluar dhe licencuar ato farmaci të cilat tregtojnë barna humane, nuk është përgjegjësi e ministrisë kontrolli edhe në farmacitë veterinare", tha zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Brikena Arapaj. Sipas saj, Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Shëndetësisë i kanë kompetencat e ndara, sikundërse e parashikon ligji.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila ushtron kontrolle në farmaci veterinare, subjekte që licencohen nga Ministria e Bujqësisë, sqaron zyrtarisht se kontrollet kryhen herë pas here dhe barnat e kafshëve importohen sipas një rregulli të caktuar. "Në pikat doganore janë të shënuara në një listë emrat e ilaçeve të cilat duhet të importohen nga jashtë. Tregtarët kalojnë pikat e kontrollit dhe ata nuk mund të fusin produkte humane, ndërsa kanë rregulla të përcaktuara", shprehet Valbona Paluka, drejtore e Drejtorisë së Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas saj, duke nisur nga kjo javë, do të ketë kontrolle të menjëhershme në pikat ku tregtohen barna për kafshët.

Hapësira ligjore ndan kompetencat e njërit dikaster nga tjetri, të drejtat dhe përgjegjësitë. Pavarësisht se në disa raste ka abuzime dhe në farmacitë e kafshëve që licencohen nga Ministria e Bujqësisë tregtohen edhe barna për njerëzit, ky fakt nuk ka thirrur ende në "ndihmë" një bashkëpunim ndërsektorial.

Evidentimet e rasteve të abuzimeve të disa farmacive veterinare kanë ardhur nga Urdhri i Farmacistëve, sektor që licencon farmacistë, të cilët duhet të ushtrojnë këtë profesion, me një kualifikim 5-vjeçar, edhe nëse më pas punojnë në pika ku tregtohen barna kafshësh. Sipas Urdhrit të Farmacistëve ka raste abuzimesh, jo vetëm kur në veterinari tregtohen edhe prodhime për kafshët, por sidomos në rastet e tregtimit të barnave humane.

Në mënyrë të veçantë në periferi, shumë nga drejtuesit e farmacive nuk kanë kualifikimin e nevojshëm dhe pavarësisht kësaj, punojnë si farmacistë dhe u këshillojnë pacientëve barna për sëmundje të ndryshme. Sakaq, Ministria e Bujqësisë nuk përjashton as rastet sporadike të abuzimeve. Sikundërse në dyqane të ndryshme apo pika ushqimore tregtohen edhe produkte si bari i miut, preparat për të ngordhur këtë kafshë, nuk mund të përjashtohen edhe rastet kur në farmacitë veterinare, tek-tuk shiten edhe barna humane...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›