E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Bregu ngre njësi integrimi në çdo ministri

19/01/2009  Synohet ecuri efektive e sfidave të integrimit evropian

Ministria e Integrimit në kuadër të intensifikimit të procesit të integrimit propozon ngritjen e njësive të integrimit në të gjitha ministritë e linjës dhe standardizimin e tyre. Këto njësi parashikohet të jenë të përhershme dhe të kenë në përbërje tri nëpunës. Ministritë e linjës, të cilat nuk i kanë implementuar brenda strukturës së tyre njësitë e integrimit janë të detyruara të paraqesin për miratim te Kryeministri, propozimet për ngritjen e këtyre njësive brenda muajit janar 2009. Fushat sektoriale që do të koordinojnë respektivisht nga njësitë e integrimit evropian do të jenë të ndryshme për ministri të ndryshme. Lufta kundër korrupsionit do të jetë e vetmja fushë që do të koordinohet nga këto njësi në të gjitha ministritë e linjës. Në mënyrë të veçantë njësitë e integrimit do të koordinohen në Ministrinë e Drejtësisë me sektorët e: sistemit gjyqësor, përmirësimit të sistemit të burgjeve, regjistrimit të pasurive të paluajtshme, kthimit dhe kompensimit të pronave, bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtare, përmbarimorit etj. Ndërsa në Ministrinë e Jashtme, politika e vizave, politika e jashtme dhe minoritetet janë tre sektorët që do të koordinohen me njësitë e integrimit. Pas sugjerimeve të ministrive të linjës rreth këtyre propozimeve, ministria e Integrimit ka vendosur që numri i punonjësve në njësitë e integrimit evropian të jetë jo më pak se tre vetë. Kjo shifër është para e arsyeshme për shkak të intensifikimit më tej të procesit të integrimit me hyrjen në fuqi të MSA-së, çka kërkon edhe rritjen e detyrave dhe të efikasitetit të këtyre njësive. Ndërsa njësitë e integrimit do të funksionojnë si strukturë e veçantë dhe jo si strukturë ad-hoc. Krijimi i strukturave të tilla, të përhershme dhe të standardizuara është parë e domosdoshme për ecurinë sa më efektive të procesit dhe të sfidave të integrimit evropian. Lidhur me domosdoshmërinë e ngritjes së këtyre strukturave të reja, ministrja Majlinda Bregu arsyeton se intensifikimi i procesit të integrimit kërkon vazhdimisht forcimin e strukturave, të cilat koordinojnë këtë proces me qëllim adresimin në kohë të kërkesave gjithnjë dhe në rritje të palës komunitare. Gjithashtu, ky ndryshim synon të identifikojë sa më qartë fushat për të cilat secili institucion është përgjegjës në kuadër të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së. Ndryshimi është edhe adresim i drejtpërdrejtë i progres-raportit të Komisionit Evropian të 5 nëntor 2008-s, i cili thotë se: “Për më tepër, funksionimi i njësive të integrimit evropian në 13 ministritë e linjës nuk është standardizuar ende dhe disa prej njësive mbeten të paplotësuara me staf”.

Kriteret për përzgjedhjen e nëpunësve

Nëpunësi i njësisë së integrimit evropian do të përzgjidhet në bazë të kritereve të përgjithshme:

Të ketë mbaruar arsimin e lartë;

Grada master përbën avantazh;

Eksperienca në punë të ngjashme përbën avantazh;

Të ketë aftësi në përgatitje raportesh, analizash, komunikimin dhe prezantim;

Njohja e një gjuhe të dytë të BE-së përbën avantazh;

Të përdorë programet bazë të punës në kompjuter;

Të ketë aftësi të mira komunikuese dhe të punës në grup;

Paketa ligjore

Mbrojtje e veçantë për euroekspertët

Paketa ligjore e propozuar nga Ministria e Integrimit, parashikon edhe amendimin e VKM-së “Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave”. Qëllimi i këtij ndryshmi është përfshija e referencës së akteve komunitare të tranpozuara në aktet shqiptare, në kuadër të detyrimeve që ka Shqipëria për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Komunitetit evropian. Propozimi i urdhrit “Për ngritjen e strukturave të bashkërendimit ndërministror për realizimin e angazhimeve të ndërmarra në kuadër të MSA-së”, është një tjetër nismë e kësaj ministrie për realizimin e detyrimeve përkatëse. Po ashtu, Bregu parashikon ngritjen e një grupi të punës për hartimin e ligjit “për euroekspertët”. Ky projekt synon krijimin e një “pool of experts” për çështjet e integrimit, duke ndihmuar në një mbrojtje të veçantë për nëpunësit që merren me këto çështje.

Aplikimi

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka vlerësuar se Shqipëria shkon me të gjitha kredencialet e nevojshme drejt fazës së aplikimit për statusin e vendit kandidat. MSA-ja do të hyjë në fuqi dhe do të fillojë të zbatohet me efektin e një kontrate midis Shqipërisë dhe BE-së.

Opozita

Opozita ka vlerësuar se Shqipëria ka qenë gati për të shkuar në fazën e radhës, para dy muajve. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se vendi ynë i plotëson kriteret për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.

Vendimi

Propozimi i Ministrisë së Integrimit vjen si domosdoshmëri për plotësimin e rekomandimeve të palës komunitare, të cilat lidhen me detyrimet që i dalin palës shqiptare me hyrjen në fuqi të MSA-së si dhe me aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat.

MSA

Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë mbyllur procesin e ratifikimit të MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së. Greqia ishte vendi i fundit që firmosi këtë marrëveshje para pak ditësh. Me ratifikimin nga shteti helen të MSA-së i hapet rrugë tashmë hyrjes në fuqi të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›