E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja Bregu zhvillon takime në Madrid

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë pune në Madrid, e para vizitë kjo e Tiranës zyrtare në presidencën spanjolle të Bashkimit Evropian, në të njëjtën ditë kur axhenda e kësaj presidence është e përqëndruar tek Ballkani Perëndimor. Ministrja e Integrimit, u takua me Sekretarin e Shtetit për BE-në z. Diego Lopez Garrido dhe Komisionin Parlamentar për BE-në, të kryesuar nga z Aria Canete Miguel.

Në këto takime Ministrja Bregu bëri një pasqyrim të plotë të situatës politike në Shqipëri duke theksuar vullnetin e qeverisë për të arritur në kompromis, duke respektuar kushtetutën dhe pavarësinë e institucioneve, me qëllim hyrjen e opozitës në parlament, një hap ky që do të ndihmonte përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Gjithashtu ajo informoi mbi të dhënat e fundit për plotësimin e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave duke theksuar reformat e bëra për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, menaxhimit të kufijve dhe ecurinë e mbarë të paisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaportat biometrike.

Më tej Ministrja Bregu shprehu vlerësimet për bashkëpunimin shumë të mirë mes Shqipërisë dhe Spanjës, pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes dy vendeve në 2007-ën, memorandum ky që mundësoi realizimin e disa projekteve në fushën e drejtësisë, bujqësisë, trajnimit të administratës shqiptarë për procesin e integrimit.

Ndersa sekretari i Shtetit për BE-në z. Diego Lopez Garrido theksoi se presidenca spanjolle ka si prioritet të saj nxitjen e procesit të integrimit për Ballkanin Perëndimor, e Shqipërinë në veçanti.
Në lidhje me liberalizimin e vizave z. Garrido deklaroi se liberalizimi i vizave për Shqipërinë është një çështje teknike që nënkupton përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit.

“Ne presim raportin e Komisionit Evropian në mënyrë që ta vendosim për aprovim në muajin maj, në axhendën e Këshillit Evropian, ç’ka do të mundësojë hyrjen e menjëhershme në fuqi të liberalizimit të vizave për Shqipërinë”.Pasi u njohën me situatën politike, anëtarët e Komisionit e Parlamentar për BE-në, e cilësuan bojkotin e opozitës si një paradoks politik që nuk çon në asnjë zgjedhje, në interes të vendit.

Deputetët theksuan gjithashtu se janë të gatshëm të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e opozitës shqiptare për rëndësinë e përfaqësimit në parlament, në institucionin ku duhet të miratohen ligjet e nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE.

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›