Ministrja Bullgare tërhiqet nga kandidatura për një post në KE
SOFJE- Ministrja e jashtme bullgare, Rumiana Jeleva, ka dhënë dorëheqjen nga posti dhe gjithashtu edhe nga kandidimi për krahun ekzekutiv të BE , Komisionin Evropian. Njoftimi vjen disa ditë pasi ajo u përball me pyetje të shumta nga anëtarë të Parlamentit Evropian rreth interesave financiare të saj. Korrespondentët thonë se dyshime u ngritën edhe mbi atë nëse ajo ishte kompetente për të qenë komisionerja e BE-së për ndihmë humanitare. Në fund, e përballur me votën e mosbesimit nga deputetët, ajo dha dorëheqje. Kjo ngjalli reagime të zemëruara nga aleatët politikë të Rumiana Jelevas në të djathtën e qendrës, grupimi më i madh politik në parlament. Drejtuesi i grupit, Joef Daul tha se ajo ishte viktimë e një grindje të turpshme politike. Bullgaria ka propozuar tashmë një zyrtare të Bankës Botërore, Kristalina Georgieva, si kandidate të re. (e.n/BBC/BalkanWeb)