Raport qe ve nen akuze mbare kombin
Mbaroi dhe raporti rreth komisionerit Dik Marti në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Si pjesëmarrës në këtë debat, në cilësinë e anëtarit të delegacionit të Parlamentit të Kosovës, të ftuar në diskutimin e këtij raporti, kisha të drejtën dhe detyrimin të shpallja mendimin dhe qëndrimin, si përfaqësues i mandatuar i shtetit të Kosovës, ndaj akuzave tepër të rënda, të përshfaqura në të. I bindur dhe i argumentuar në kundërshtimin e akuzave të paargumentuara të raportit që u përcoll në media, mbajta parasysh dhe u nxita nga dy elementë:
Nga përfundimi i kreut të Këshillit të Europës, Tjobjorn Jupland, “që kërkoi nga autoritete ndërkombëtare që të bëjnë të pamundurën për të vendosur të vërtetën, duke shtuar se akuzat e raportit ose të konfirmohen, ose të hidhen poshtë përmes një hetimi”.
Nga vazhdimësia e dukshme e sasisë dhe e llojit të akuzave, nga kujtimet e botuara të Prokurores së Hagës, Del Ponte, te raporti i ish-prokurorit Marti.
Nisur nga përfundimi i hetimeve për të vërtetuar hamendjet e saj, miratova pa mëdyshje, duke ju bashkuar në anë të PDKsë, thirrjes së Dik Marti për një hetim kompetent ndërkombëtar në vërtetim të akuzave të bëra në raportin e tij. Në këtë vazhdë ideje, si përfaqësues zyrtar i shtetit të Kosovës kërkova: Bashkëpunimin të plotë të autoriteteve kosovare në një hetim të tillë; mbështetjen e paparagjykuar prej BE-së, SHBA-së dhe shteteve të tjera nga akuzat për UÇK-në, autoritet, që drejtojnë dhe janë mandatuar ta drejtojnë sërish Kosovën; përfundimin e “tymnajës” dyshuese për njohjen masive të shtetit tonë nga bashkësia shtetërore ndërkombëtare si shtet.
Deri tani kam thënë të thënat: Më ka mbetur pa përmendur që, në një intervistë në radio “Europa e Lirë”, më 15 dhjetor, kam thënë që akuzat e raportit në fjalë janë anti-UÇK. Duke mos e përgënjeshtruar aspak vërtetësinë e kësaj thënieje, që e kam bërë para se të njihesha me raportin, kam arritur në përfundimin:
UÇK-ja dhe figura me kontribut para dhe pas viteve 1998-2010, po përdoren si një “sebep” (mund të thuhet edhe shkak “fals”, pra jo shkak), për të atakuar dhe vënë nën akuzë ndërkombëtare gjithë faktorin shqiptar bazal në Ballkan. Ky opinion ka qenë dhe mbetet themeli i vlerësimit tim më të parë, të cilit i qëndroj: Raporti i Dik Marti është tërësisht politik. Autori, jurist në shkollim dhe në karrierë, paraqet dokument akuzues jo ndaj një subjekti, organizmi, institucioni, qeverie, por ndaj një kombi, të ndarë e të njohur tashmë ndërkombëtarisht në dy shtete. Z. Marti, ish-prokuror, njohës dhe mbrojtës i ligjit, bartës i akuzës në mbrojtje të ligjit, paraqitet me një raport, që sipas tij, nuk ka prova, pasi ato janë shkatërruese dhe mbështetet në “dëshmitarët që nuk flasin, pasi kanë frikë”.
Kërkesa e autorit të raportit nuk është gjë tjetër veçse një “klonim” i kërkesës dhe i akuzave të ish-Kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte. Akuzat e saj u rrëzuan. Jam i bindur se edhe prokurori apo vartësi i Del Pontes, por tashmë me veshjen e “tagës” dhe autoritetit të Këshillit të Europës, do të ketë të njëjtin rezultat.
I gjithë ky proces u hap dhe u “përfundua” pa dalë ende rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. U hap dhe “raporti” i ngritur mbi thashetheme të dëgjuara nga z. Marti, u miratua nga komisioni përkatës i Këshillit të Europës. E miratova edhe unë, duke e proklamuar paraprakisht një raport politik, të paargumentuar, faktikisht dhe juridikisht.
Në mbyllje të këtij shkrimi të sforcuar, që u detyrova ta bëj pas intervistës në radio “Europa e Lirë” dhe deklarimit në debatin e zhvilluar një ditë më pas në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të KE-së, pasi u njoha, e lexova dhe e rilexova raportin e z. Martin, arrita në përfundimin se ky raport nuk synon aspak të atakojë udhëheqësit partiakë dhe shtetërorë të Kosovës (të rrjedhur nga lufta e UÇK-së për pavarësi), se sa të barazojë, paradoksalisht, krimet e serbëve, sunduesve, me të shqiptarëve. Z. Martin bën mirë që shqetësohet e të mbledhë të dhëna nga burime, që nuk guxon t’i përmendë, kur nuk flet aspak për mijëra kosovarë shqiptarë “të humbur”, por mendoj se i tejkalon kompetencat e dhëna nga Asambleja Parlamentare e KE-së, kur në raportin e vet vë nën akuzë edhe Republikën e Shqipërisë. Përmendja e figurave të njohura të shtetit të Kosovës, nën akuzë si ish-drejtues të UÇK-së (që fillimisht u cilësua si terroriste e, më pas, si aleate e NATO-s) në fund të vitit 2010, është në mos e nxitur artificialisht, e motivuar politikisht. Për këtë jam i bindur, por për ndarjen mes tyre, as nuk pretendoj, dhe as nuk dua ta bëj. Sidoqoftë, nga shqyrtimi i vëmendshëm i Raportit të Martit kam arritur në përfundimin, që vështirë ta ndryshoj:
Ky raport është fund e krye i motivuar dhe i nxitur politikisht:
Që ai atakon, në dukje UÇK-në dhe drejtuesit e saj, por në fakt, është një dokument antishqiptar, që akuzon shtetin e Kosovës dhe shtetin shqiptar, pra një dokument që vë nën akuzë gjithë kombin shqiptar.
Që raporti i z. Marti është një nismë politike dhe jo juridike për të legjitimuar kriminelët e kërkuar serbë nga Gjykata e Hagës dhe për të lehtësuar apo shmangur fare kërkesën e BE-së për dorëzimin nga Serbia të kriminelëve të kërkuar botërisht nga bashkësia ndërkombëtare shtetërore.